Politikë

MEPJ reagon për vrasjen e shtetasit shqiptar në Greqi

"Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre"

Fatjon Cuka  | 05.12.2018 - Përdıtësım : 05.12.2018
MEPJ reagon për vrasjen e shtetasit shqiptar në Greqi

Tiranë
TIRANË (AA) - Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë (MEPJ), ka reaguar për vrasjen e një shtetasi shqiptar dje në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

MEPJ, në një njoftim zyrtar thekson ky institucion është njoftuar nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Athinë se dje në mbrëmje, në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak, 18 vjeç, lindur në Kavalla, Greqi.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme. Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre. MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombësve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke”, theksohet në njoftim.

MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes, sipas saj, që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe “vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cenuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.”

“Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane. Në kushtet kur bashkëkombësit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e shtetit shqiptar për t'i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se ngjarjet ku kanë mbetur të vrarë në Greqi disa shtetas të Shqipërisë kanë ndodhur disa javë pasi shtetasi Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç, banor i minoritetit grek në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark. Kjo ngjarje shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Greqi. Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın