Politikë

"Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë kushtet për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në"

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Gere, duke cituar raportin e KE-së tha se autoritetet kanë shfaqur publikisht vendosmëri të fuqishme për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së

Abdula Berisha  | 20.10.2021 - Përdıtësım : 21.10.2021
"Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë kushtet për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në"

Shkup

Ambasadori dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, David Gere, së bashku me zv/kryeministrin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov, në një konferencë për media informuan për detajet e Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Gere tha se ai i dorëzoi një kopje të raportit prej 113 faqesh presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryeministrit Zoran Zaev, duke shtuar se raporti mbulon periudhën nga vjeshta e vitit 2020 deri në verën e vitit 2021.

"Raporti i KE-së thotë se Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë kushtet për të hapur negociatat e anëtarësimit dhe autoritetet kanë shfaqur publikisht vendosmëri të fuqishme për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së. Është e rëndësishme që ka përfundim se shteti mban hap të vazhdueshëm dhe të vendosur në reformat dhe ka më shumë përpjekje për rezultate shtesë të prekshme", tha ambasadori Gere.

Ai tha gjithashtu se vrulli në zbatimin e reformave duhet të vazhdojë.

"Lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim, Komisioneri dhe raporti konfirmojnë se vonesa në fillimin e negociatave ka një ndikim negativ në besueshmërinë e BE -së", tha ambasadori Gere.

Ai shtoi se çështja duhet të zgjidhet me Bullgarinë, e cila ka bllokuar Maqedoninë e Veriut për ca kohë që të fillojë bisedimet për anëtarësim me BE-në nën pretekstin e "zgjidhjes së mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore".

Zv/kryeministri Dimitrov tha se raporti është një analizë objektive, gjithëpërfshirëse dhe realiste e situatës, por edhe një pikë referimi që dikton reformat në agjendën evropiane.

"Ky është një konfirmim i qartë se në kohë sfidash serioze edhe në aspektin e fokusimit në luftën kundër pandemisë, por edhe sfidat specifike politike me të cilat përballemi, me angazhim dhe këmbëngulje kemi arritur të ruajmë një nivel të lartë gatishmërie për anëtarësim", tha Dimitrov.

Ai tha se në krahasim me raportin e mëparshëm, ritmi i përparimit është ruajtur ose ka përmirësim në 29 nga 39 fushat ndërsa në 10 fushat e tjera ka më pak përparim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.