Politikë

Macron: Shkelja e sovranitetit të Grenlandës do të shkaktojë pasoja të paprecedentë

"Ne nuk i nënvlerësojmë deklaratat mbi Grenlandën. Nëse preket sovraniteti i një vendi evropian dhe aleat, pasojat e mëpasshme do të ishin të paprecedentë", ka thënë Macron

Necva Taştan Sevinç  | 14.01.2026 - Përdıtësım : 14.01.2026
Macron: Shkelja e sovranitetit të Grenlandës do të shkaktojë pasoja të paprecedentë

Stamboll

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi sot se çdo shkelje e sovranitetit të Grenlandës do të çonte në "pasoja të paprecedentë", mes deklaratave të ripërtërira nga SHBA-ja për marrjen e kontrollit të ishullit arktik, transmeton Anadolu.

Macron i bëri këto komente gjatë mbledhjes së kabinetit, sipas zëdhënëses së qeverisë Maud Bregeon, pasi Washingtoni ka shprehur vazhdimisht qëllimin e tij për të përvetësuar territorin autonom danez.

"Ne nuk i nënvlerësojmë deklaratat mbi Grenlandën. Nëse preket sovraniteti i një vendi evropian dhe aleat, pasojat e mëpasshme do të ishin të paprecedentë", citoi Bregeon të ketë thënë Macron. Ajo shtoi se Franca po e ndjek situatën me vëmendjen më të madhe dhe do të veprojë në solidaritet të plotë me Danimarkën dhe sovranitetin e saj.

Sipas transmetuesit francez të lajmeve BFMTV, Macron foli javën e kaluar me kryeministren daneze Mette Frederiksen, ndërsa zyra e tij tha se Parisi po zhvillon diskutime me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi situatën dhe opsionet e ndryshme.

Më parë, ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot i kërkoi Washingtonit të "ndalojë shantazhin" ndaj Danimarkës për shkak të Grenlandës, duke thënë se nuk beson që një ndërhyrje ushtarake amerikane ishte e mundshme dhe se "asgjë nuk mund ta justifikonte atë".

Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale. Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Të martën, ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen konfirmoi planet për prani ushtarake më të fortë dhe të përhershme në Grenlandë.

"Tani po ecim përpara me të gjithë çështjen e një pranie më të përhershme dhe më të madhe në Grenlandë nga mbrojtja daneze, por edhe me pjesëmarrjen e vendeve të tjera. Në vitin 2025 pamë se kishte vende të tjera të NATO-s që merrnin pjesë në aktivitete të stërvitjeve dhe trajnimeve në Grenlandë. Do ta shohim këtë edhe në vitin 2026", tha ai.

Të dielën, Trumpi tha se "SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën për të parandaluar marrjen e ishullit nga Rusia ose Kina". Ai më parë e përshkroi zotërimin e Grenlandës si "domosdoshmëri absolute" për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar atë me një "marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.