Lituania do të hapë 44 qendra lokale të operacioneve të sigurisë kibernetike për të forcuar mbrojtjen kombëtare
E udhëhequr nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NKSC), iniciativa synon të krijojë qendra rajonale në çdo qark brenda tre vjet e gjysmë
Istanbul
Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë zbuloi të hënën një plan për të krijuar 44 qendra operacionesh të sigurisë kibernetike në të gjithë vendin, me qëllim forcimin e rrjetit të saj të mbrojtjes digjitale mes kërcënimeve kibernetike në rritje në rajon, transmeton Anadolu.
Iniciativa, e udhëhequr nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NKSC), synon të krijojë qendra rajonale në çdo qark brenda tre vjet e gjysmë, sipas Rokas Jonikas, drejtor i Departamentit të Operacioneve të Sigurisë Kibernetike, raportoi transmetuesi lituanez LRT news.
Më parë këtë vit, komunat në rajonin e Siauliai nënshkruan një marrëveshje me NKSC për të lançuar qendrën e parë të përbashkët rajonale të operacioneve të sigurisë në Lituani, e parë si një projekt pilot për modelin kombëtar.
Zyrtarët lokalë thonë se objekti mund të fillojë të funksionojë deri në fund të këtij viti "sipas një skenari optimist".
Qendra e Siauliai pritet të punësojë katër specialistë që do të ofrojnë shërbime të sigurisë kibernetike në shtatë komuna, duke përfshirë monitorimin e infrastrukturës digjitale, zbulimin dhe regjistrimin e incidenteve dhe forcimin e sistemeve të cenueshme.
Sipas planit më të gjerë, NKSC do të sigurojë pajisjet, softuerin dhe trajnimin e nevojshëm për të operuar qendrat, ndërsa komunat do të furnizojnë ambientet dhe do të financojnë pagat e stafit.
Qendrat do të mbështesin gjithashtu menaxhimin e incidenteve të mëdha kibernetike, duke siguruar koordinim të qëndrueshëm midis institucioneve lokale dhe kombëtare.
Zyrtarët thonë se rrjeti do të rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë kibernetike të sektorit publik të Lituanisë duke siguruar që aftësitë e zbulimit të kërcënimeve dhe reagimit ndaj incidenteve të jenë të disponueshme në të gjithë vendin dhe jo të përqendruara në kryeqytet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
