Politikë

Kuvendi i Kosovës nuk debaton për politikën e jashtme

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në emër të propozuesve të kësaj seance kërkoi shtyrjen e saj, nga shkaku i mungesës së kabinetit qeveritar

Zülfiya Yakup  | 16.11.2018 - Përdıtësım : 17.11.2018
Kuvendi i Kosovës nuk debaton për politikën e jashtme

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Në mungesë të kabinetit qeveritar, Kuvendi i Kosovës nuk mbajti seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga 42 deputetë të opozitës, ku pritej të debatohej për “dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në emër të propozuesve të kësaj seance kërkoi shtyrjen e saj, nga shkaku i mungesës së kabinetit qeveritar.

"Ne kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e temës. Qëllimi i kësaj seance ishte të qartësojmë më mirë politikën e jashtme në lidhje me qëllimet që ka Republika e Kosovës, por në mungesë të plotë kabinetit qeveritar, propozojmë që në mbledhjen e ardhshme të kryesisë së Kuvendit, të caktohet mbajtja e seancës”, tha Hoti.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se Kuvendi kishte marrë në kohë të duhur shkresat e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli se nuk mund të jenë të pranishëm në seancën në fjalë.

"Është me rëndësi që kjo seancë, pasi trajton politikën e jashtme, të caktohet pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL më 20 nëntor", tha Krasniqi.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje adresoi kritika për mungesën e kabinetit qeveritar duke thënë se mbledhja ishte caktuar që nga 6 nëntori. Lëvizja Vetëvendosje tha ajo, është e brengosur me drejtimin që ka marrë politika e jashtme për shkak të mungesës së një strategjie të unifikuar.

Seanca u mbyll pasi me shumicë votash u vendos që kryesia e Kuvendit të vendos një datë të re për mbajtjen e kësaj seance.

Kujtojmë se në arsyetimin e opozitës për mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme, thuhet se në vend që të jetë afatgjatë, politika e jashtme ndryshon në baza ditore, me çka krijon konfuzion dhe situata të pakëndshme para partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, dhe si e tillë ka ndaluar procesin e njohjes së pavarësisë nga vendet tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.