Kryeministri polak sinjalizon gatishmërinë e SHBA-së për të vendosur trupa në Ukrainë
Tusk tha se garancitë e sigurisë së Washingtonit për Kievin pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje mund të “përfshijnë praninë e trupave amerikane përgjatë vijës së kontaktit midis Ukrainës dhe Rusisë”
Stamboll
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se SHBA-ja është gati për një vendosje të mundshme të trupave të saj në Ukrainë në kuadër të garancive të sigurisë së pasluftës, transmeton Anadolu.
Në një takim qeveritar pasi liderët nga Evropa dhe Kanadaja zhvilluan bisedime, sipas transmetuesit ‘TVP World’, Tusk tha se garancitë e sigurisë së Washingtonit për Kievin pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje mund të “përfshijnë praninë e trupave amerikane përgjatë vijës së kontaktit midis Ukrainës dhe Rusisë”.
“Këto deklarata mjaft të qarta janë shfaqur për herë të parë. Ne do të shohim sa konsistentë do të jenë partnerët në anën tjetër të Atlantikut”, tha Tusk.
Ai theksoi se “paqja është në horizont për javët e ardhshme”.
“Nuk ka dyshim se kanë ndodhur gjëra që japin bazë për shpresë se kjo luftë mund të përfundojë, madje edhe mjaft shpejt, por kjo ende një shpresë, larg të qenit 100 për qind e sigurt”, theksoi ai.
Më tej, Tusk tha se Kievi ende mund të duhet të bëjë kompromis për çështjet territoriale, duke theksuar se çdo vendim i tillë do të kërkonte pëlqimin e popullit ukrainas.
Ai shtoi se “ky pëlqim i mundshëm është e qartë se duhet të kushtëzohet nga garanci reale dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të mundshëm të paqes”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
