Kryeministri britanik mbron vendimin për të mos u përfshirë në sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit
Starmer thotë se "zgjidhja e negociuar" mbetet rezultati më i mirë pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve
Londër
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se qëndron prapa vendimit të tij për të mos përfshirë Mbretërinë e Bashkuar në sulmet ajrore ndaj Iranit të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli, raporton Anadolu.
Starmer i dha një përditësim deputetëve mbi situatën në Iran në Dhomën e Komunëve.
Ai përsëriti se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e përfshirë në sulmet fillestare ndaj Iranit dhe tha se vendimi ishte "i qëllimshëm" sepse qeveria beson se rezultati më i mirë është një "zgjidhje e negociuar".
"Ne nuk po bashkohemi me sulmet ofensive të SHBA-së dhe Izraelit. Bazamenti për vendimin tonë është vetëmbrojtja kolektive e miqve dhe aleatëve të gjatë dhe mbrojtja e jetëve britanike" tha ai.
Ai iu referua kritikave nga presidenti amerikan Donald Trump para se të thoshte: "Është detyra ime të gjykoj se çfarë është në interes kombëtar të Britanisë. Kjo është ajo që kam bërë dhe qëndroj prapa saj".
Trump tha se Starmer kishte "neglizhuar kohën" për t'iu dhënë SHBA-së akses në bazat britanike, sipas një raporti të "The Telegraph".
"Kjo ndoshta është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë mes vendeve tona… Ne jemi shumë të zhgënjyer me Keir", tha ai.
Megjithatë, Starmer bëri një dallim midis fillimit të konfliktit dhe situatës aktuale, duke shtuar: "Është e qartë se përgjigjja skandaloze e Iranit është bërë një kërcënim për njerëzit tanë, interesat tona dhe aleatët tanë, dhe nuk mund të injorohet".
Starmer tha se rreth 200.000 qytetarë britanikë ndodhen në Lindjen e Mesme dhe përshkroi rreziqet për ta nga Irani si "thellësisht shqetësuese".
Ai gjithashtu iu referua sulmeve që kanë prekur forcat britanike në rajon.
Kryeministri britanik tregoi për një bazë ushtarake në Bahrein që u godit nga Irani të shtunën, ku 300 trupa ishin "brenda disa qindra metrave nga sulmi."
Ai më pas iu referua një sulmi me dron mbi RAF Akrotiri në Administratën Greke të Qipros Jugore gjatë natës.
Starmer konfirmoi se askush nuk u lëndua dhe tha: "Është e rëndësishme për mua të them se bazat tona në Qipro nuk po përdoren nga bombarduesit amerikanë. Dua të jem i qartë. Sulmi mbi RAF Akrotiri në Qipro nuk ishte në përgjigje të ndonjë vendimi që ne kemi marrë. Sipas vlerësimit tonë, droni u lëshua para njoftimit tonë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
