Politikë

Kryeministri britanik dhe presidenti ukrainas do të takohen në Londër përpara takimit Trump-Putin

- Bisedimet në Alaskë do të jenë të parat midis presidentëve në detyrë të SHBA-së dhe Rusisë që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev, e cila po afron tre vjet e gjysmë.

Burak Bir  | 14.08.2025 - Përdıtësım : 14.08.2025
Kryeministri britanik dhe presidenti ukrainas do të takohen në Londër përpara takimit Trump-Putin

Londër

LONDËR (AA) - Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy do të takohen në Londër për bisedime përpara një samiti të premten midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Rusisë në shtetin amerikan të Alaskës, transmeton Anadolu.

Presidenti ukrainas pritet të takohet me kryeministrin britanik në "Downing Street" në Londër, sipas raporteve të medias, duke cituar një zyrtar qeveritar. Takimi vjen vetëm një ditë para takimit kritik midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaska të premten.

Bisedimet në Alaskë do të jenë të parat midis presidentëve në detyrë të SHBA-së dhe Rusisë që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev, e cila po afron tre vjet e gjysmë.

Të mërkurën, Zelenskyy tha se Trump shprehu gatishmërinë e tij për t'i ofruar vendit të tij garanci sigurie.

Ndërkohë, Trump në të njëjtën ditë kërcënoi homologun e tij rus me "pasoja shumë të rënda" nëse ai nuk pranon të përfundojë luftën në Ukrainë gjatë samitit të tyre të ardhshëm në Alaska.

Komentet e Trumpit erdhën vetëm disa orë pasi ai mori pjesë në një takim virtual me Zelenskyyn dhe udhëheqës të tjerë evropianë, të cilin presidenti amerikan e quajti "shumë të mirë".

Edhe pse zyrtarët evropianë e kanë mirëpritur iniciativën e Trumpit për të sjellë paqe, duke i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, ata gjithmonë kanë qenë të kujdesshëm, nga frika se presidenti amerikan mund të përpiqet ta detyrojë Kievin të copëtojë territorin e tij.

Trump më parë tha se "Rusia dhe Ukraina do të shkëmbenin territore si pjesë e një marrëveshjeje paqeje".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.