Politikë

Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin e Koalicionit të të Vullnetshmëve në Paris

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan do të marrë pjesë në samitin e Koalicionit të të Vullnetshmëve në nivel udhëheqësish të martën në Paris

Gökhan Çeliker  | 05.01.2026 - Përdıtësım : 05.01.2026
Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin e Koalicionit të të Vullnetshmëve në Paris

Ankara

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan do të marrë pjesë në samitin e Koalicionit të të Vullnetshmëve në nivel udhëheqësish të martën në Paris, sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme, raporton Anadolu.

Samiti pritet të trajtojë gjendjen e fundit të bisedimeve që synojnë arritjen e paqes në Ukrainë, zhvillimet në draftin e planeve të paqes dhe rolin që duhet të luajë koalicioni në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.

Duke përfaqësuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në samit Fidan pritet të nënvizojë se brenda kuadrit të vizionit të paraqitur nga Erdogani, Turqia vazhdon të mbështesë zgjidhje paqësore të luftës Rusi-Ukrainë përmes iniciativave diplomatike të orientuara drejt rezultateve.

Ai pritet të tërheqë vëmendjen për faktin se Stambolli priti tre raunde negociatash midis palëve në vitin 2025, të cilat prodhuan rezultate të prekshme, veçanërisht në çështjet humanitare si shkëmbimet e të burgosurve.

Fidan pritet të përsërisë se Turqia mbetet e gatshme të presë bisedime të drejtpërdrejta midis palëve në periudhën e ardhshme dhe të deklarojë se Ankaraja e konsideron ruajtjen e stabilitetit në Detin e Zi si një përparësi strategjike dhe ua ka përcjellë këtë qëndrim të gjitha palëve.


- Koalicioni i të Vullnetshmëve

Në vitin 2025 u mbajtën takime të shumta në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, i cili u lançua me samitin e liderëve të fokusuar në Ukrainë, të mbajtur në Londër më 2 mars 2025, ku mori pjesë Fidan që përfaqësonte Turqinë.

Erdogani mori pjesë dhe mbajti një fjalim në samitet virtuale të mbajtura më 15 mars dhe 25 nëntor të vitit të kaluar. Ndërkohë, zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz mori pjesë në samitet online të mbajtura më 13 gusht, 17 gusht, 19 gusht, 4 shtator, 24 tetor dhe 11 dhjetor 2025.

Në samitin e mbajtur më 10 maj 2025, Turqia u përfaqësua nga ministri Fidan.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.