Kremlini: Putini do të takohet me kryeministrin hungarez Orban në Moskë
Më herët, Orban tha se qëllimi i bisedimeve të ardhshme është të "sigurojë furnizimin me energji të Hungarisë për dimrin dhe vitin e ardhshëm, me një çmim të përballueshëm"
Istanbul
Kremlini ka konfirmuar se presidenti rus Vladimir Putin, do të takohet me kryeministrin hungarez Viktor Orban, sot më vonë në Moskë, transmeton Anadolu.
"Po, mund ta konfirmojmë", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS në përgjigje të një pyetjeje mbi këtë çështje.
Më herët, Orban në një video-deklaratë në rrjetet sociale njoftoi se më vonë gjatë ditës do të vizitojë kryeqytetin rus, duke theksuar se qëllimi i bisedimeve të ardhshme është të "sigurojë furnizimin me energji të Hungarisë për dimrin dhe vitin e ardhshëm, me një çmim të përballueshëm".
Ai gjithashtu kujtoi se vizitoi Washingtonin më herët këtë muaj për të përjashtuar Hungarinë nga sanksionet e SHBA-së mbi naftën dhe gazin rus.
Më 7 nëntor, Orban u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Hungaria dhe SHBA-ja po hyjnë në atë që ai e quajti "epokë e artë" të marrëdhënieve dypalëshe nën presidentin Donald Trump, i cili tha se po shqyrton lëshimin e një përjashtimi për Hungarinë që të vazhdojë të blejë naftë ruse pa frikën e përballjes me sanksione dytësore të SHBA-së.
"Po e shqyrtojmë, sepse është shumë e vështirë për të që të marrë naftë dhe gaz nga zona të tjera. Siç e dini, ata nuk kanë avantazhin e të pasurit det, ata nuk kanë portet", tha Trump në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi këtë çështje.
Në muajin tetor, Trump vendosi sanksione amerikane ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës të Rusisë, Rosneft dhe Lukoil si dhe ndaj 34 degëve të tyre në përpjekje për të rritur presionin mbi Moskën, teksa kërkon të ndërmjetësojë një marrëveshje të paqes të paarritshme prej kohësh që do t'i jepte fund luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.
Orban shpesh e ka kritikuar Brukselin dhe bën thirrje për t'i dhënë fund financimit evropian për Ukrainën. Ai mbështet një zgjidhje diplomatike për t'i dhënë fund luftës dhe ka mbështetur propozimin aktual të paqes të presidentit Trump.
Budapesti duhej të organizonte një samit SHBA-Rusi për të diskutuar përfundimin e luftimeve në Ukrainë, por ai u anulua.
