Politikë

Kremlini: Moska, lokacioni i vetëm për një takim të mundshëm Putin-Zelenskyy

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë lokacionet alternative si “spekulative”, duke konfirmuar se Rusia është e gatshme ta presë udhëheqësin ukrainas

Alperen Aktaş  | 29.01.2026 - Përdıtësım : 29.01.2026
Kremlini: Moska, lokacioni i vetëm për një takim të mundshëm Putin-Zelenskyy

Istanbul

Kremlini ka deklaruar se Moska mbetet i vetmi lokacion që po merret në konsideratë për një takim të mundshëm ballë për ballë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke i hedhur poshtë si të papërshtatshme diskutimet për lokacione alternative, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se Rusia “vazhdon të flasë për Moskën” dhe theksoi se “diskutimet spekulative janë të papërshtatshme” kur bëhet fjalë për një takim të tillë.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi këshilltari i presidentit rus, Yuri Ushakov, konfirmoi se Zelenskyy ka shprehur interes për t’u takuar personalisht me Putinin dhe se Moska nuk i ka refuzuar kurrë kontaktet e tilla.

“Nëse Zelenskyy është vërtet i gatshëm për një takim të tillë, ai është i mirëpritur në Moskë. Dhe ne garantojmë sigurinë e tij dhe do të ofrojmë kushtet e nevojshme të punës”, tha Ushakov në një intervistë për transmetuesin shtetëror rus VGTRK.

Ushakov shtoi se ideja e një takimi Putin–Zelenskyy është ngritur disa herë, përfshirë gjatë bisedave telefonike mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Moska, sipas tij, beson se një takim i tillë duhet të përgatitet me kujdes dhe të synojë rezultate konkrete.

Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se Zelenskyy është i gatshëm të takohet me Putinin për të trajtuar, siç i quajti ai, çështjet “më të ndjeshme” të planit paqësor me 20 pika të Kievit, përfshirë çështjet territoriale dhe funksionimin e Centralit Bërthamor të Zaporizhias.

“Pikërisht për t’i zgjidhur këto çështje, presidenti është i gatshëm të takohet me Putinin dhe t’i diskutojë ato”, tha Sybiha, duke u shprehur se nuk sheh nevojë të takohet me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, pasi, sipas tij, “nuk duhet të krijohen kanale paralele”.

Rusia dhe Ukraina së fundmi zhvilluan konsultime të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi. Një raund i ri pritet të mbahet të dielën, sërish në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.