Politikë

Kosovë, projekt-ligj për zhvillimin e kulturës, rinisë dhe sportit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Sponsorizime dhe Donacione në Kulturë, Rini dhe Sport

Agon Fehmiu  | 23.12.2015 - Përdıtësım : 23.12.2015
Kosovë, projekt-ligj për zhvillimin e kulturës, rinisë dhe sportit

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projekt-ligjin për Sponsorizime dhe Donacione në Kulturë, Rini dhe Sport i cili, për herë të parë në Kosovë, do të rregullojë kushtet dhe do të përcaktojë lehtësirat për sponsorët dhe donatorët në këto fusha, raporton Anadolu Agency (AA).

Me miratimin e këtij projekt-ligji, qeveria synon të krijojë politika dhe kushte sa më të mira për zhvillimin e kulturës, rinisë dhe sportit në Kosovë, nëpërmjet transformimit të këtij projektligji në akte legjislative dhe vendosjes së bazës juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe donacioneve në këto fusha.

Qeveria njofton se me anë të projekt-ligjit për sponsorizime dhe donacione në kulturë, rini dhe sport do të rregullohen marrëdhëniet, kushtet dhe niveli i lehtësirave financiare përmes zbritjeve të lejuara për personat fizikë dhe juridikë që me vullnet të lirë do të sponsorizojnë apo do të bëhen donatorë në këto fusha të rëndësishme dhe me interes të veçantë publik.

“Ky projekt-ligj rregullon, përcakton dhe njeh autoritetin e subjekteve që kanë të drejta dhe detyrime në realizimin e interesit publik të përcaktuar me këtë projektligj, sponsorizimin dhe donacionin, si ndihmesa të veçanta për realizimin e interesit publik, lëndën e sponsorizimit dhe donacionit, si dhe lehtësirat financiare përmes zbritjeve të lejuara në pajtueshmëri të plotë me kornizën ligjore të nxjerrë nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, e cila i ka konsideruar si fusha me interes publik", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Këto tri fusha janë përcaktuar si një ndër prioritetet e qeverisë së Kosovës dhe me mbështetjen e këtyre kategorive përmes këtij projekt-ligji do të krijohen efekte pozitiv për zhvillimin e kulturës, sportit dhe rinisë në Kosovë.

Në mbledhjen e saj të rregullt, qeveria ka shqyrtuar dhe ka miratuar edhe projekt-ligjet për kundërvajtje, për rregullat e trafikut rrugor dhe ndër tjera, ka miratuar edhe projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın