Politikë

Kosovë, fillon numërimi i votave me postë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi, tha se në KQZ janë pranuar me postë në afatin e caktuar rreth 15 mijë e 500 zarfe

Agim Sulaj  | 16.10.2019 - Përdıtësım : 16.10.2019
Kosovë, fillon numërimi i votave me postë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ka filluar në Kosovë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) numërimi i votave me postë, me përjashtim të votave të ardhura me postë nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë procesit të numërimit, do të numërohen rreth 13 mijë e 500 fletëvotime të cilat kanë ardhur në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) gjatë periudhës së votimit 19 shtator deri më 5 tetor 2019.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se nga votat e pranuara nga jashtë vendit ka pasur edhe të atilla që janë refuzuar.

"Ky numërim fillon pas vlerësimit që i është bërë pakove me fletëvotime që kanë ardhur gjatë periudhës së votimit nga jashtë vendit. Vlerësimi, si proces, ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon, në mënyrë që fletëvotimi të aprovohet ose refuzohet. Kësisoj, gjatë periudhës së vlerësimit janë proceduar dhe vlerësuar 16 mijë e 189 pako të supozuara me fletëvotime, prej tyre 13 mijë e 491 janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 698 janë refuzuar", ka theksuar Elezi.

Sipas tij, disa nga arsyet pse janë refuzuar ky numër i votave është se rreth 1 mijë prej tyre nuk kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit. Ndërsa pjesa tjetër, siç shpjegon Elezi, ka dërguar pako me fletëvotime më shumë se një herë, ka pasur mungesë të dëshmimit të identitetit me dokumente të vlefshme, si dhe arsye tjera.

Numërimi i të gjitha këtyre fletëvotimeve do të bëhet në 23 tavolina numërimi. Rezultati i këtij numërimi dhe gjithashtu formularët që plotësohen pas këtij numërimi do të skanohen dhe publikohen në ueb faqe të KQZ-së.

Elezi tha se procesi i numërimit të votave me postë planifikohet të kryhet për një ditë e gjysmë.

I pyetur nga gazetarët për votat e ardhura me postë nga Serbia, nga të cilat punëtorët e QNR-së patën efekte negative në shëndet, Elezi tha se ato aktualisht po i heton Prokuroria dhe për to do ta informojnë opinionin publik në kohë.

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25,49 për qind, para LDK-së me 24,82 për qind. PDK është e treta me 21,24 për qind, koalicioni AAK-PSD ka 11.57 për qind dhe koalicioni Nisma-AKR-PD është nën pragun zgjedhor me 4.96 për qind të votave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın