Stamboll
Kina sot i dha mbështetje Kubës pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Kuba nuk do të merrte më naftë ose mbështetje financiare nga Venezuela, transmeton Anadolu.
"Pekini mbështet fuqimisht Kubën në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së saj kombëtare dhe kundërshton ndërhyrjet e jashtme", tha për mediat zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
"Ne edhe një herë i bëjmë thirrje SHBA-së të ndalojë menjëherë bllokadën, sanksionet dhe shtrëngimin kundër Kubës dhe të veprojë në një mënyrë që favorizon paqen dhe stabilitetin rajonal", tha Mao.
Deklarata nga Pekini erdhi pasi Trumpi, në një postim në platformën e tij të mediave sociale "Truth Social", tha se për vite me radhë Kuba ishte mbështetur në sasi të mëdha nafte dhe parash nga Venezuela në këmbim të ofrimit të shërbimeve të sigurisë për udhëheqësit venezuelianë, por tha se marrëveshja ka mbaruar.
"Nuk do të ketë më naftë ose para që shkojnë në Kubë - zero!", shkroi ai.
Trumpi pretendon se shumë kubanë të përfshirë në operacionet e sigurisë në Venezuelë u vranë gjatë operacionit të fundit ushtarak amerikan, duke shtuar se Venezuela nuk ka më nevojë për mbrojtje nga ato që ai i përshkroi si grupe kriminale që i kishin "mbajtur peng për shumë vite".
Ai i kërkoi Kubës të kërkonte marrëveshje të re, duke paralajmëruar se duhet të veprojë "para se të bëhet tepër vonë".
Më 7 janar, disa ditë pas operacionit në Venezuelë gjatë të cilit SHBA-ja kapi presidentin Nicholas Maduro, Trumpi e përmendi Kubën midis objektivave të mundshme të ardhshëm të administratës së tij, duke thënë se vendi i Karaibeve "është gati të bjerë".
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel fajësoi SHBA-në për vështirësitë e thella ekonomike të vendit, duke hedhur poshtë kritikat dhe duke këmbëngulur se ajo mbetet plotësisht sovrane përballë dekadave të presionit.
"Ata që e kthejnë gjithçka në biznes, madje edhe jetët njerëzore, nuk kanë autoritet moral për të drejtuar gishtin drejt Kubës", tha Miguel Diaz-Canel në kompaninë amerikane të mediave sociale X, duke argumentuar se vuajtjet ekonomike të ishullit rrjedhin nga politikat e SHBA-së të imponuara për më shumë se gjashtë dekada.
"Kuba është një vend i lirë, i pavarur dhe sovran. Askush nuk na dikton se çfarë bëjmë", shtoi ai.
