Kina kundërshton idenë se Bordi i Paqes i Trumpit mund të zëvendësojë OKB-në
Kina kundërshtoi idenë se Bordi i Paqes për Gazën i presidentit amerikan Trump mund të zëvendësojë OKB-në, duke theksuar rolin qendror të këtij organi botëror në çështjet ndërkombëtare
Stamboll
Kina kundërshtoi sot idenë se Bordi i Paqes për Gazën i presidentit të SHBA-së, Donald Trump mund të zëvendësojë OKB-në, duke theksuar rolin qendror të këtij organi botëror në çështjet ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
"Sa i përket OKB-së, Kina gjithmonë ka praktikuar multilateralizëm të vërtetë. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina mbështet fuqimisht sistemin ndërkombëtar të përqendruar në OKB, rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së", u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
Guo po u përgjigjej pyetjeve mbi deklaratën e Trumpit se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, por duke sugjeruar se Bordi i Paqes mund të zëvendësojë organin botëror, sipas të përditshmes me qendër në Pekin, "Global Times".
Javën e kaluar, të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi formimin e bordit për të "luajtur rol thelbësor në përmbushjen" e 20 pikave të planit të Trumpit për t'i dhënë fund përgjithmonë luftës së Izraelit në Gaza dhe për të rindërtuar enklavën si dhe për të "siguruar mbikëqyrje strategjike, për të mobilizuar burimet ndërkombëtare dhe për të siguruar llogaridhënie ndërsa Gaza kalon nga konflikti në paqe dhe zhvillim".
"OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme. Unë jam një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur potencialin e saj", u tha Trump gazetarëve të martën në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet nëse dëshiron që bordi i tij i paqes të zëvendësojë OKB-në.
"Unë besoj se duhet ta lini OKB-në të vazhdojë sepse potenciali është kaq i madh", shtoi ai. Kur u pyet nëse dëshiron që bordi i tij i paqes të zëvendësojë OKB-në, Trumpi u përgjigj: "Mirë, mund të jetë".
Trumpi tha se OKB-ja duhet të kishte "zgjidhur të gjitha luftërat që unë zgjidha". Presidenti amerikan i ka dhënë meritat përpjekjeve të administratës së tij, gjatë vitit të kaluar, për të ndaluar armiqësitë midis vendeve, përfshirë Tajlandën, Kamboxhian, Indinë, Pakistanin si dhe në Afrikë.
Sipas Bordit të Paqes, SHBA-ja gjithashtu formoi Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës për të zbatuar fazën e dytë të Planit gjithëpërfshirës të Trumpit për t'i dhënë fund konfliktit në Gaza, një Bord ekzekutiv themelues dhe një Bord ekzekutiv të Gazës për të mbështetur kornizën kalimtare.
Trumpi ka ftuar shumë udhëheqës të huaj dhe disa vende të bashkohen me bordin, përfshirë Rusinë dhe Kinën.
