Kina i kërkon SHBA-së të mbështesë "drejtësinë" ndaj Palestinës pas vendimit për të vendosur sanksione
- "Ndihemi të zhgënjyer dhe nuk mund ta kuptojmë këtë hap të SHBA-së", tha Ministria e Jashtme e Kinës.

Istanbul
STAMBOLL (AA) – Kina shprehu sot "tronditje" dhe "zhgënjim" për vendimin e SHBA-së për të sanksionuar Autoritetin Palestinez (PA) dhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), transmeton Anadolu.
"Ndihemi të zhgënjyer dhe nuk mund ta kuptojmë këtë hap të SHBA-së", u tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun gazetarëve në Pekin.
"Çështja e Palestinës është në zemër të çështjes së Lindjes së Mesme", tha Guo duke e përshkruar luftën palestineze si "një çështje drejtësie dhe barazie ndërkombëtare".
Ai i kërkoi SHBA-së të lëvizë drejt marrjes së "përgjegjësisë" për të zbatuar rezolutat e OKB-së mbi Palestinën.
SHBA-ja akuzoi Autoritetin Palestinez dhe PLO-në për "mosrespektimin e angazhimeve të tyre dhe minimin e perspektivave të paqes në Lindjen e Mesme".
Megjithatë, Guo tha se çështja palestineze është në "një moment vendimtar dhe historik".
"Kina mbështet fuqimisht kauzën e drejtë të popullit palestinez në rivendosjen e të drejtave të tyre kombëtare (dhe) juridiksionin efektiv të AP-së në gjithë territorin e Palestinës, përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor", tha Guo duke i kërkuar SHBA-së të "mos bëjë të kundërtën".
Ai tha se një "zgjidhje gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme" qëndron në një zgjidhje me dy shtete për konfliktin. Vendimi i administratës së Trumpit erdhi në një kohë kur fushata gjenocidale e Izraelit ka vrarë më shumë se 60 mijë njerëz në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Ky hap i Washingtonit shkaktoi kritika nga Autoriteti Palestinez, me një zyrtar të lartë që denoncoi sanksionet e SHBA-së, duke i quajtur ato "mbështetje të hapur për pushtimin e Izraelit" dhe luftën e tij të vazhdueshme në Gaza.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të PLO-së, Wassel Abu Yousef tha për Anadolu se sanksionet vijnë "ndërsa SHBA-ja është bërë partner në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza".