Izraeli mirëpret rezolutën e OKB-së për Gazën, opozita e quan "keqmenaxhim" nga qeveria e Netanyahut
"Shteti i Izraelit dhe Kryeministri (Benjamin) Netanyahu duartrokasin Presidentin (e SHBA-së) Donald Trump dhe ekipin e tij të palodhur dhe të përkushtuar", thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit
Istanbul
Izraeli mirëpriti miratimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të një rezolute të hartuar nga SHBA-ja, ndërsa u ngritën kritika nga opozita, transmeton Anadolu.
"Shteti i Izraelit dhe Kryeministri (Benjamin) Netanyahu duartrokasin Presidentin (e SHBA-së) Donald Trump dhe ekipin e tij të palodhur dhe të përkushtuar", thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit përmes platformës sociale të kompanisë amerikane X.
"Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbështet plotësisht Planin 20-Pikësh të Presidentit Trump dhe emërimin e Bordit të Paqes që do të drejtohet nga Presidenti Trump", shtoi deklarata.
Deklarata vuri në dukje se Tel Avivi aspiron që rezoluta, "besnike ndaj vizionit të Presidentit Trump, ... të çojë në integrimin e mëtejshëm të Izraelit dhe fqinjëve të tij, si dhe në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit".
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën me shumicë votash një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja, me 13 anëtarë pro dhe Rusinë dhe Kinën që abstenuan.
Rezoluta përcakton formimin e Bordit të Paqes dhe autorizimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit deri më 31 dhjetor 2027, për të mbikëqyrur qeverisjen, rindërtimin dhe përpjekjet e sigurisë në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Avigdor Lieberman, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë Yisrael Beiteinu, e konsideroi rezolutën si një "keqmenaxhim nga qeveria izraelite dhe një lëshim për sigurinë e Izraelit".
"Ne kemi humbur kontrollin mbi vendin. Forcat ndërkombëtare në territorin sovran të Shtetit të Izraelit, një sindikatë që na ka zhveshur nga aftësia jonë për të mbrojtur veten dhe i ka prangosur të gjitha duart IDF-së (ushtrisë izraelite) - ky është një kthim në periudhën e Mandatit", tha Lieberman.
"Lindja e Mesme po ndryshon, dhe jo në favorin tonë", shtoi ai.
Drafti i SHBA-së erdhi si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 10 tetor bazuar në një plan 20-pikësh të paraqitur nga Trump.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa grupin palestinez Hamas.
Që nga tetori i vitit 2023, gati 69.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 170.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit që e shkatërroi enklavën.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
