Politikë

Itali, partneri i koalicionit tërheq ministrat nga qeveria, shkaktohet krizë politike

Pas disa javësh tensione në rritje me kryeministrin Giuseppe Conte, Renzi njoftoi dorëheqjen e dy ministrave të tij dhe një nënsekretari nga qeveria, duke e privuar atë nga shumica e nevojshme në parlament

Ekip  | 14.01.2021 - Përdıtësım : 14.01.2021
Itali, partneri i koalicionit tërheq ministrat nga qeveria, shkaktohet krizë politike

Romë

Ish-kryeministri italian Matteo Renzi dhe partia e tij Italia Viva tërhoqën mbështetjen e tyre nga qeveria e Italisë, duke hapur rrugën drejt një krize politike që rrezikon të përkeqësojë gjendjen e jashtëzakonshme shëndetësore dhe ekonomike me të cilën po përballet vendi mes pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas disa javësh tensione në rritje me kryeministrin Giuseppe Conte, Renzi njoftoi dorëheqjen e dy ministrave të tij dhe një nënsekretari nga qeveria, duke e privuar atë nga shumica e nevojshme në parlament.

"Ne kemi nevojë për të zgjidhur problemet, jo për t'i fshehur ato", tha Renzi në një konferencë për shtyp të shumëpritur, duke shtuar se përgjegjësia e tij është të "sigurojë përgjigje për vendin".

Kritikat e Renzit kundër Conte-s kishin të bënin kryesisht me planin e tij për shpenzimin e më shumë se 200 miliardë eurove të destinuara nga BE-ja për të rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar të Italisë.

Edhe pse një version i ri i planit të rimëkëmbjes ekonomike i miratuar nga kabineti qeveritar të martën në mbrëmje përfshiu disa nga kërkesat e Renzit, ai nuk iu shmang ndarjes zyrtare brenda koalicionit.

Dy forcat e tjera që mbështesin qeverinë e Conte-s, Lëvizja Pesë Yje dhe Partia Demokratike e qendrës së majtë, u përpoqën deri në orët e fundit të negocionin një marrëveshje të mundshme për ta shmangur kolapsin e qeverisë.

Sot më herët, Conte u takua me presidentin Sergio Mattarella për ta informuar atë për zhvillimet e fundit.

Gjatë takimit, presidenti u bëri thirrje të gjitha partive kryesore politike t'i jepnin fund kësaj pasigurie sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, Conte tha se shpresonte që kriza qeveritare ende mund të shmanget, pasi, siç tha ai, "qytetarët italianë nuk do ta kuptojnë atë".

Megjithatë, ai shtoi se "qeveria mund të ecë përpara vetëm me mbështetjen e të gjitha forcave të shumicës" dhe se është i nevojshëm një koalicion solid.

Tani, kryeministri duhet të vendosë për hapin tjetër. Ai mund t'i ofrojë dorëheqjen Mattarella-s dhe ndoshta të marrë një mandat të ri për të parë nëse mund të fitojë mjaft vota në parlament për të formuar një qeveri të re.

Nëse Conte nuk është në gjendje të sigurojë një shumicë alternative, Mattarella do të zhvillojë negociata me partitë e tjera për të gjetur një zgjidhje politike, e cila mund të përfshijë një qeveri të gjerë "uniteti kombëtar".

Për shkak të krizës së vazhdueshme shëndetësore dhe ekonomike, presidenti pritet t'u japë udhëheqësve të partive vetëm disa ditë për të arritur kompromis. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, Mattarella do të detyrohet të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme, të cilat mbeten opsioni më pak i mundshëm, pasi Italia po lufton kundër një rishfaqjeje të koronavirusit dhe po vazhdon fushatën e saj të vaksinimit në masë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.