Ish-presidenti irakian pritet të emërohet shef i ardhshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët
Dokumenti që tregon se Braham Salih do të emërohet në këtë post ende nuk është konfirmuar nga OKB-ja
Gjenevë
Një dokument i publikuar sot tregon se ish-presidenti irakian, Barham Salih, do të marrë detyrën e kreut të ardhshëm agjencisë së OKB-së për refugjatët, transmeton Anadolu.
Sipas dokumentit me datë të 11 dhjetorit, i cili u aksesua nga Anadolu, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, planifikon të propozojë zgjedhjen e Salihut si Komisioner të Lartë për Refugjatët (UNHCR) në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të vitit 2025, pas përfundimit të mandatit aktual të Filippo Grandit.
Guterres synon të propozojë Salihun për një mandat pesëvjeçar si komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët, duke filluar më 1 janar 2026, për të përfunduar më 31 dhjetor 2030.
OKB-ja ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht dokumentin ose emërimin e propozuar.
"Për momentin, dua të them vetëm se procesi është në vazhdim, dhe sapo të përfundojë, do të bëhet një njoftim zyrtar nga Kombet e Bashkuara", tha sot Alessandra Vellucci, drejtoresha e shërbimeve të informacionit në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, gjatë një konference për media.
