Holandë, partitë opozitare i bëjnë thirrje qeverisë të njohë shtetin palestinez
- “Macron ka të drejtë. Njohja e Palestinës është një hap i domosdoshëm drejt paqes. Është koha që edhe Holanda ta ndërmarrë këtë hap”, tha lideri i Partisë së Gjelbër të Majtë dhe Laburistëve, Frans Timmermans

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Liderët e opozitës dhe deputetët holandezë i kanë bërë thirrje qeverisë që të njohë shtetin palestinez, pas njoftimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, se Franca do të vazhdojë përpara me njohjen zyrtare në muajin shtator, transmeton Anadolu.
“Macron ka të drejtë. Njohja e Palestinës është një hap i domosdoshëm drejt paqes. Është koha që edhe Holanda ta ndërmarrë këtë hap”, tha në platformën X lideri i Partisë së Gjelbër të Majtë dhe Laburistëve, Frans Timmermans.
Ai theksoi se ndërkohë që Izraeli vazhdon dhunën dhe urinë në Rripin e Gazës, vendimi i Hagës për të mbyllur sytë dhe për të qëndruar pasive është i “papranueshëm.”
“Tani le të ndjekë Holanda këtë shembull. Kabineti vazhdon të zgjedhë të mos shohë. Por kjo tregon sërish se ka një rrugë tjetër. Dhe se refuzimi i Holandës për të vepruar është i turpshëm dhe i pafalshëm”, tha Sarah Dobbe nga Partia Socialiste.
Gjithashtu edhe Rob Jetten, lider i partisë Demokratët 66, i bëri thirrje qeverisë që të ndjekë shembullin e Parisit dhe të “qëndrojë fort në mbrojtje të njerëzimit dhe të së drejtës ndërkombëtare” në vend që “të mbyllë sytë” ndaj vuajtjeve në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
“Franca do ta njohë shtetin palestinez. Për sa na përket neve, Holanda duhet ta ndjekë menjëherë këtë shembull duke njohur gjithashtu Palestinën si shtet. Kam dorëzuar pyetje parlamentare”, shkroi gjithashtu në X Stephan van Baarle, lider i partisë DENK.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.