Politikë, BALLKANI

Haradinaj: Taksa mund të hiqet vetëm në shkëmbim të njohjes

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj tha se Kosova nuk ka pse të ulet në tavolinë për bisedime me Serbinë “pa një kornizë marrëveshjeje që e ka emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues”

Agim Sulaj  | 16.07.2019 - Përdıtësım : 17.07.2019
Haradinaj: Taksa mund të hiqet vetëm në shkëmbim të njohjes ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot në Qeveri në një deklarim për media tha se taksa 100 për qind për produktet serbe që hynë në Kosovë mund të hiqet vetëm në shkëmbim të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).

Macron: Evropa e fuqishme, nëse ndihmon në kompromisin Kosovë-Serbi

Haradinaj, duke folur për takimin e presidentit francez Emanuel Macron me homologun serb Aleksandar Vuçiç të hënën në Beograd, e falënderoi Macronin për “sinqeritetin e shprehur kur tha se Kosova dhe Serbia janë shtete evropiane”.

Ndërsa për kërkesën për kompromis të presidentit Macron, Haradinaj tha se, për Kosovën, një nga opsionet e këtij kompromisi mund të jetë heqja e taksës në shkëmbim të njohjes nga Serbia.

“Kompromis është nëse e heqim taksën në shkëmbim të njohjes. Pra, nuk është se nuk bëjmë kompromis... i madh është si kompromis. Edhe mund të jetë për shembull kompromis kjo: heqja e taksës - vendosja e marrëdhënieve tjera tregtare. Ndërsa, ajo që ka kërkuar Kosova është shumë bazike. Ne kemi kërkuar një kornizë-marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me elementet përcjellëse. Kjo kornizë-marrëveshjeje duhet të jetë korniza për të cilën ne negociojmë dhe s’ka tjetër pos asaj që paraqitet. Hezitimi është se Serbia ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë nuk mund t’ia vëmë emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kosova nuk ka pse të ulet me Serbinë në tavolinë “pa një kornizë-marrëveshjeje që e ka emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues”. Por, u shpreh optimist se roli Francës në këtë mes mund ta ndryshojë situatën.

“Mendoj që po rritet roli i Francës dhe presidentit Macron dhe e mirëpres këtë rol dhe mendoj se ky angazhim mund ta kthejë Serbinë në tavolinë edhe pa u hequr taksa”, tha Haradinaj.

Presidenti Macron dje në një konferencë për media në Beograd tha se sa i përket kompromisit nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, por gjithashtu se nuk ka zgjidhje magjike dhe askush nuk e ka zgjidhjen në xhep. Presidenti francez nënvizoi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është shumë e rëndësishme për sigurinë e rajonit.

Macron gjithashtu foli edhe për organizimin e një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel, pasi që tha se “Franca dëshiron që të arrihet marrëveshje”.

Kujtojmë se për herë të fundit udhëheqësit kosovarë dhe ata serbë u takuan më 29 qershor në Samitin e Berlinit, me pjesëmarrjen e Merkel dhe Macron, pa arritjen e ndonjë rezultati konkret.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın