Greqi, fermerët përleshen me policinë mes protestave për vonesat në pagesa
Fermerët u mblodhën për të bllokuar autostradën me traktorë dhe u përballën me prani të fortë të policisë
Istanbul
Fermerët grekë u përleshën të dielën me policinë pranë qytetit Larisa derisa protestonin kundër vonesave të pagesave të kompensimit, raportoi e përditshmja "Kathimerini", transmeton Anadolu.
Fermerët u mblodhën për të bllokuar autostradë me traktorë dhe u përballën me prani të fortë të policisë. Oficerët përdorën gaz lotsjellës dhe i shtynë ata që përpiqeshin të zgjasnin bllokadën.
Fermerët nga Karditsa thyen kordonin e policisë për të arritur në autostradën E65 pavarësisht përpjekjeve për të kontrolluar protestat. Fermerët planifikojnë të përshkallëzojnë fushatën e tyre për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, vonesës së kompensimit dhe problemeve me agjencinë shtetërore të pagesave bujqësore, OPEKEPE.
Në qershor, Komisioni Evropian gjobiti Greqinë me 392.2 milionë euro për mashtrim në shkallë të gjerë me subvencionet bujqësore nga viti 2016. Gjoba rrjedh nga dështimet e mëdha të mbikëqyrjes nga OPEKEPE, e cila u shpërbë në maj pasi u zbulua se fondet ishin keqpërdorur përmes kullotave fiktive dhe aktiviteteve mashtruese bujqësore.
