Politikë

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kundërshtojnë sovranitetin izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara

- “Kërcënimet për aneksim, vendbanimet dhe aktet e dhunës nga kolonët kundër palestinezëve minojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete të negociuar”, thanë në një deklaratë të përbashkët vendet E3

İlayda Çakırtekin  | 25.07.2025 - Përdıtësım : 25.07.2025
Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kundërshtojnë sovranitetin izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj çdo përpjekjeje për të vendosur sovranitet izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara, transmeton Anadolu.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm të gjitha përpjekjet për të vendosur sovranitet izraelit mbi Territoret Palestineze të Pushtuara. Kërcënimet për aneksim, vendbanimet dhe aktet e dhunës nga kolonët kundër palestinezëve minojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete të negociuar”, thanë në një deklaratë të përbashkët vendet E3.

Liderët e vendeve E3 shprehën “gatishmërinë” për të mbështetur një armëpushim të menjëhershëm dhe një proces politik që çon drejt sigurisë dhe paqes së qëndrueshme për gjithë rajonin.

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve t’i japin fund konfliktit duke arritur një armëpushim të menjëhershëm”, thanë ata, duke rikonfirmuar mbështetjen për përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit.

E3 gjithashtu bëri thirrje për t’i dhënë fund “katastrofës humanitare” në Gaza dhe për të përmbushur nevojat bazë të popullatës civile.

“Mbajtja e ndihmës humanitare thelbësore larg popullatës civile është e papranueshme. I bëjmë thirrje qeverisë izraelite të heq menjëherë kufizimet për furnizimin me ndihma dhe të lejojë urgjentisht OKB-në dhe organizatat joqeveritare humanitare të kryejnë punën e tyre për të luftuar urinë masive. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhet në deklaratë.

Ata gjithashtu shprehën “angazhim” për të zhvilluar një “plan specifik dhe të besueshëm” për fazën e ardhshme në Gaza, me qeverisje kalimtare, marrëveshje të sigurisë dhe shpërndarje të ndihmës humanitare.

“Kjo duhet të shoqërohet me tërheqjen e forcave izraelite dhe largimin e udhëheqjes së Hamasit si hapa kyç drejt një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete”, theksuan liderët e vendeve E3.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.