Furnizimi me gaz iranian për Irakun ndërpritet pas sulmit në objektet e gazit në Parsin Jugor
Ndërprerja ka ulur ndjeshëm prodhimin e energjisë dhe duke nxjerrë jashtë funksionit rreth 3.100 megavatë, njoftoi Ministria e Energjisë Elektrike
Stamboll
Ministria e Energjisë Elektrike e Irakut njoftoi të mërkurën se rrjedhat e gazit iranian janë ndërprerë pas zhvillimeve në rajon, duke ulur ndjeshëm prodhimin e energjisë dhe duke nxjerrë jashtë funksionit rreth 3.100 megavatë, transmeton Anadolu.
Ndërprerja erdhi pasi mediat iraniane raportuan se disa objekte të lidhura me fushën e gazit Parsi Jugor në zonën energjetike Assaluyeh, në bregdetin jugor të Gjirit në Iran, u shënjestruan të mërkurën me sulme raketore.
Irani ka 43 fusha gazi, ku Parsi Jugor është më e rëndësishmja. Ajo është fusha më e madhe e gazit natyror në botë dhe ndahet me Katarin, ku njihet si Fusha Veriore.
Ky zhvillim vjen në mes të shqetësimeve globale se infrastruktura energjetike e Iranit mund të shënjestrohet nga sulme amerikane ose izraelite gjatë luftës, tashmë në javën e tretë, duke shkaktuar potencialisht dëme të mëdha ekonomike dhe mjedisore në të gjithë rajonin.
Agjencia e Lajmeve e Irakut (INA) citoi zëdhënësin e Ministrisë së Energjisë Elektrike, Ahmad Moussa, i cili ka thënë se “si rezultat i zhvillimeve në rajon, rrjedhat e gazit iranian drejt Irakut u ndërprenë plotësisht rreth një orë më parë, duke bërë që rreth 3.100 megavatë të dalin jashtë funksionit”.
Moussa ka deklaruar se autoritetet kanë urdhëruar rritjen e koordinimit me Ministrinë e Naftës për të kompensuar mungesën e gazit përmes përdorimit të karburanteve alternative dhe furnizimeve vendase të gazit.
“Humbja e 3.100 megavatëve sigurisht që do të ndikojë në sistemin energjetik. Ne ishim përgatitur mirë për të siguruar që termocentralet tona të ishin gati përpara kërkesës maksimale (verore)”, shtoi ai.
Iraku varet në masë të madhe nga gazi iranian për funksionimin e termocentraleve, veçanërisht në jug, duke e bërë vendin të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të furnizimit.
Irani furnizon Irakun me rreth 50 milionë metra kub gaz në ditë, duke mbuluar afërsisht një të tretën e nevojave të vendit dhe duke gjeneruar rreth 6.000 megavatë energji elektrike çdo ditë.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar një ofensivë të përbashkët kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke shkaktuar deri më tani rreth 1.300 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe ndërprerje në tregjet globale dhe aviacionin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
