Franca dënon vrasjen e punonjësve të ndihmës në sulmin izraelit në Gaza
- Ministria franceze theksoi nevojën për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, veçanërisht mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve humanitarë gjatë konfliktit

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Franca ka dënuar një sulm ajror izraelit që vrau dy punonjës të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, duke kërkuar llogaridhënie dhe duke ri-afirmuar mbështetjen e saj për përpjekjet humanitare në rajon, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se "dënon sulmin izraelit në një zonë të dendur me popullsi në Gazën qendrore", e cila rezultoi në vdekjen e dy punonjësve të organizatave joqeveritare më 26 qershor.
Ajo shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe bëri thirrje për një hetim të shpejtë dhe të plotë.
Parisi "shpreh ngushëllimet e saj për të dashurit dhe familjet e tyre dhe bën thirrje që të hidhet dritë e plotë mbi ata që janë përgjegjës për këtë incident", tha ministria franceze.
Ministria gjithashtu theksoi nevojën për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, veçanërisht mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve humanitarë gjatë konfliktit.
"Mbrojtja e civilëve dhe punonjësve humanitarë duhet të garantohet në të gjitha rrethanat, në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar", shtoi ajo.
Franca vlerësoi gjithashtu angazhimin e personelit humanitar që vepron në kushte të rrezikshme në Gaza.
"Franca përshëndet guximin e jashtëzakonshëm të punonjësve humanitarë, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të ndihmuar civilët. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre dhe të mbështesim punën e tyre", tha ministria.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite që nga tetori i vitit 2023 vazhdon luftën gjenocidale në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 57 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Izraeli ka rënë dakord për "kushtet e nevojshme" për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në enklavë, duke i kërkuar grupit palestinez të rezistencës Hamas ta pranojë propozimin.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.