Politikë

"E penduar thellë", Japonia shënon Ditën e Kapitullimit në Luftën e Dytë Botërore

Kina shprehu zemërimin e saj për vizitën e zyrtarëve japonezë në tempull "për nder të kriminelëve të dënuar të luftës"

Riyaz Khaliq Khaliq  | 15.08.2022 - Përdıtësım : 16.08.2022
"E penduar thellë", Japonia shënon Ditën e Kapitullimit në Luftën e Dytë Botërore

Stamboll

Japonia përkujtoi sot 77-vjetorin e kapitullimit të saj në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa perandori i vendit Naruhito shprehu "pendim të thellë" për të kaluarën e Japonisë gjatë kohës së luftës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duke reflektuar mbi të kaluarën tonë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e keqardhjes së thellë, shpresoj sinqerisht që shkatërrimet e luftës nuk do të përsëriten më kurrë”, tha Naruhito gjatë ceremonisë zyrtare në Tokio.

Pas përfundimit të luftës, Japonia shpalli kapitullimin e saj të pakushtëzuar në vitin 1945.

Japonia humbi rreth 2,3 milionë pjesëtarë ushtarakë dhe 800 mijë civilë në luftë.

Gjithashtu në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kryeministri Fumio Kishida, i cili u zotua se Tokio "do të bashkojë forcat me komunitetin ndërkombëtar dhe do të bëjë përpjekje të gjithanshme për të zgjidhur problemet e ndryshme me të cilat po përballet bota".

Megjithatë, Kishida shmangu përmendjen e agresionit të Japonisë gjatë kohës së luftës në Azi, duke vazhduar traditën e vendosur nga paraardhësit e tij Yoshihide Suga dhe Shinzo Abe.

Ministrja e Sigurisë Ekonomike Sanae Takaichi dhe ministri i Rindërtimit Kenia Akiba bënë një vizitë në tempullin Yasukuni që lidhet me luftën.

Ky është viti i tretë që zyrtarët japonezë të rangut të kabinetit vizituan tempullin, ku ndodhen më shumë se 2,4 milionë të vdekur lufte, përfshirë kriminelët e dënuar të luftës.

Takaichi dhe Akiba u emëruan si ministra nga Kishida javën e kaluar.

Në mesditë, sipas kohës lokale, u mbajt një minutë heshtje për viktimat e luftës, duke përfshirë viktimat e bombës atomike amerikane në Hiroshima dhe Nagasaki.

Vizita në tempullin Yasukuni shkaktoi zemërimin e Kinës, e cila tha se ky është një "tregues i qëndrimit të gabuar të qeverisë japoneze ndaj çështjeve historike".

Ministria e Jashtme e Kinës bëri të ditur se kishte lëshuar një demarsh ndaj palës japoneze.

“Ne i bëjmë thirrje palës japoneze që të respektojë dhe të reflektojë thellë mbi historinë e saj të agresionit, të trajtojë siç duhet çështjet përkatëse me një ndjenjë përgjegjësie dhe të fitojë besimin e fqinjëve të saj aziatikë dhe komunitetit më të madh ndërkombëtar përmes veprimeve konkrete”, tha ministria.

Reagimi i Pekinit kishte të bënte me periudhën e Luftës së Dytë midis Kinës dhe Japonisë, të zhvilluar në vitet 1937-1945, periudhë kjo të cilën Kina e përshkruan si një luftë rezistence kundër pushtimit japonez. Gjatë kësaj lufte të përgjakshme jetën humbën qindra mijëra njerëz nga të dy palët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.