Politikë

Costa pas takimit me Vuçiqin në Beograd: BE-ja është e përkushtuar për anëtarësimin e Serbisë

"Aktualisht, kemi një momentum pozitiv në BE për zgjerimin dhe kjo është mundësi e qartë për Serbinë që ta ndjekë dhe të përfitojë nga kjo", tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa

Zlatan Kapic  | 13.05.2025 - Përdıtësım : 13.05.2025
Costa pas takimit me Vuçiqin në Beograd: BE-ja është e përkushtuar për anëtarësimin e Serbisë Foto: Amir Hamzagic / AA

Belgrad

Bashkimi Evropian (BE) mbetet fuqishëm i përkushtuar për anëtarësimin e Serbisë si një vend stabil dhe prosperues, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nga Beogradi, raporton Anadolu.

Costa ndodhet për një vizitë në Serbi, ku është pritur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

"Aktualisht kemi një momentum pozitiv në BE për zgjerimin dhe kjo është mundësi e qartë për Serbinë që të vazhdojë dhe ta shfrytëzojë atë. BE-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj anëtarësimit të Serbisë si një vend i qëndrueshëm dhe i begattë që me trashëgiminë e së kaluarës së saj, ka vendosur të ketë të ardhme evropiane", tha Costa në konferencën e përbashkët për media me Vuçiqin, duke shprehur kënaqësinë që dëgjoi se integrimi evropian mbetet prioritet për qeverinë e re.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme që kjo të përkthehet shpejt në veprime konkrete dhe të përshpejtohen reformat.

"Aderimi, siç e dini, është proces i bazuar në merita dhe ajo që duhet bërë si hap tjetër për hapjen e kllasterit (tre) është shumë e qartë. Dhe kjo është ajo për të cilën kemi rënë dakord më parë - liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i kodit zgjedhor", tha Costa.

Zyrtari i lartë evropian theksoi se harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe rezolutat për çështjet dypalëshe janë gjithashtu element i rëndësishëm për aderimin e Serbisë, siç është edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Costa shprehu besimin se e ardhmja e Serbisë është në BE dhe tha se "topi tani është në duart e saj".


- Vuçiq: Serbia në BE është synimi ynë

Presidenti serb Vuçiq në konferencën për media pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, tha se Serbia në Evropë është "rruga jonë, synimi dhe vullneti ynë politik" dhe se ai kurrë nuk e ka vënë në dyshim këtë.

Vuçiq tha se kanë diskutuar për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe nevojën e dialogut me Prishtinën dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai potencoi se Costa ka sjellë vullnet të mirë në bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në BE.

"BE-ja është partner i rëndësisë më të madhe për ne. Ne kemi vëllimin më të madh të tregtisë dhe shkëmbimit të shërbimeve me BE-në. Në vitin 2024 për herë të parë do të kalojë 53 miliardë, nga të cilat eksportet tona janë në nivelin e Ballkanit Perëndimor prej 52 për qind, kështu që vetëm Serbia merr pjesë me 52 për qind në totalin e eksporteve në territorin e BE-së, gjë që flet edhe për rëndësinë e vendit tonë për të gjithë BE-në", tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia është një vend i vogël për Evropën dhe prandaj siç tha, "ne duam të jemi pjesë e Evropës".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın