Politikë

Çavuşoğlu: Politika e jashtme turke ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimit të krizës globale ushqimore

Duke folur në Konferencën e 13-të të Ambasadorëve në Ankara, kryediplomati turk tha se kriza në Ukrainë "ka treguar edhe një herë vlerën e Türkiye-s"

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 08.08.2022 - Përdıtësım : 09.08.2022
Çavuşoğlu: Politika e jashtme turke ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimit të krizës globale ushqimore Foto: Esra Hacioğlu Karakaya / AA

Ankara

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se politika e jashtme e vendit është sipërmarrëse dhe humanitare, e jo dogmatike apo joparimore, gjë që sipas tij ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimit të krizës globale ushqimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Konferencën e 13-të të Ambasadorëve në Ankara, Çavuşoğlu tha se kriza në Ukrainë "ka treguar edhe një herë vlerën e Türkiye-s".

Ai theksoi se Ankaraja pret që aleatët e saj të jenë "më miqësorë, më aktivë, më pak kritikë dhe të marrin përgjegjësi".

Ai tha se operacionet ndërkufitare të Türkiye-s po përparojnë me mbështetje efektive diplomatike, duke theksuar se ato kanë "rëndësi të madhe" për integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut.

Lufta kundër terrorizmit është një "vijë e kuqe" për Türkiye-n, pohoi Çavuşoğlu, duke shtuar se Ankaraja pret që autoritetet irakiane të ndërmarrin veprime konkrete kundër grupit terrorist PKK.

Derisa kjo të ndodhë, ai u shpreh se Türkiye do të vazhdojë të marrë masa për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare.

“Türkiye shpreson që ndjeshmëritë e saj në luftën kundër terrorizmit të kuptohen mirë nga bota”, tha Çavuşoğlu.

Ai kritikoi gjithashtu SHBA-në se nuk ka ndërmarrë “hapa të kënaqshëm” kundër grupeve terroriste PKK/PYD/YPG dhe FETO, si dhe për sanksionet e njëanshme kundër Türkiye-s.

Türkiye ka kritikuar prej kohësh mbështetjen e SHBA-së për terroristët e YPG/PKK-së.

Përderisa SHBA-ja pretendon se po lufton grupin terrorist DEASH me ndihmën e aleatëve të saj YPG/PKK, Türkiye thotë se nuk ka kuptim përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një tjetër grup terrorist.

Sa i përket objektivit të Türkiye-s për anëtarësimin në BE, Çavuşoğlu ripohoi angazhimin e Ankarasë dhe tha se vendi "do të ndjekë politika konstruktive për të përmirësuar bashkëpunimin dhe dialogun në të gjitha fushat".

“Türkiye është Evropë”, tha ai, duke theksuar përgjegjësinë e Ankarasë për të garantuar sigurinë e Evropës.

Duke trajtuar situatën në Mesdheun Lindor dhe Egje, kryediplomati turk tha se Türkiye dëshiron që "çështjet e ndërlidhura" të adresohen dhe zgjidhen "në mënyrë gjithëpërfshirëse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".

“Greqia, megjithatë, nuk ka vullnet për të zgjidhur këto çështje”, tha ai.

Duke folur për përshkallëzimin e fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, ai përsëriti se Türkiye "paralajmëron edhe një herë Armeninë që të mos përfshihet në provokime të reja".

Kur Azerbajxhani çliroi territorin në Karabak që ishte i pushtuar nga Armenia për gati tre dekada gjatë konfliktit në vjeshtën e vitit 2020, Çavuşoğlu tha se Türkiye favorizonte drejtësinë dhe mbështeti anën e drejtë dhe të vërtetë.

Kryediplomati turk dënoi gjithashtu valën e re të sulmeve izraelite në Gaza, duke thënë se nuk mund të ketë asnjë justifikim për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, veçanërisht të një fëmije 5-vjeçar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.