Politikë, BALLKANI

Bullgari, protesta kundër projektbuxhetit të ri të qeverisë

Turma rrethoi hyrjet e ndërtesës së parlamentit dhe u përpoq të pengojë largimin nga ndërtesa të ligjvënësve që merrnin pjesë në një seancë të përgjithshme

Esra Tekin  | 27.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
Bullgari, protesta kundër projektbuxhetit të ri të qeverisë Foto: Borislav Troshev / AA

Istanbul

Shumë bullgarë janë tubuar në kryeqytetin Sofje kundër një projektbuxheti të paraqitur nga qeveria në parlament, raporton Anadolu.

Mijëra njerëz të organizuar përmes mediave sociale me thirrjen e partisë reformiste "Ne Vazhdojmë Ndryshimin" (PP) u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë, ku ndodhen ndërtesat e parlamentit dhe kryeministrisë.

Ata brohoritnin parulla kundër qeverisë së kryeministrit Rosen Zhelyazkov dhe koalicionit qeverisës të vendit.

Turma rrethoi hyrjet e ndërtesës së parlamentit dhe u përpoq të pengojë largimin nga ndërtesa të ligjvënësve që merrnin pjesë në një seancë të përgjithshme.

Demonstruesit, që mbanin flamuj bullgarë dhe të Bashkimit Evropian (BE), gjatë protestës rreth 3-orëshe brohoritën parulla kundër qeverisë të koalicionit të përbërë prej 3 partish, që përfshin Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe partinë Ka Një Popull të Tillë (ITN), si dhe partinë Lëvizja për të Drejta dhe Liri - Fillimi i Ri, e cila mbështet qeverinë nga jashtë.

Buxheti, i përgatitur për herë të parë në euro për shkak të kalimit të planifikuar të vendit nga leva në euro më 1 janar të vitit 2026, po përballet me kritika veçanërisht për disa parametra që lidhen me sektorin social, përfshirë rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, mungesën e llogaridhënies për shpenzimet publike dhe mundësinë e një efekti "ngrirjeje" mbi të ardhurat, pavarësisht rritjeve të planifikuara të pensioneve dhe pagave në kujdesin shëndetësor.

Kritikët argumentojnë se buxheti është pro-inflacionist dhe nuk adreson mangësitë sistemike në shërbimet publike si kujdesi shëndetësor dhe gjyqësori.

Policia mori masa të gjera të sigurisë, ndërsa protesta përfundoi pa incidente pasi seanca e përgjithshme e parlamentit zgjati më shumë se sa pritej dhe demonstruesit u shpërndanë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın