Politikë

BE: Masat e Izraelit për zgjerimin e kontrollit mbi Bregun Perëndimor, "të papajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare"

Blloku paralajmëroi se vendimet që ndikojnë në zbatimin e Protokollit të Hebronit ndërmjet Izraelit dhe Autoritetit Palestinez mund të rrezikojnë status quo-në e ndjeshme në vendet fetare

Necva Taştan Sevinç  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 11.02.2026
BE: Masat e Izraelit për zgjerimin e kontrollit mbi Bregun Perëndimor, "të papajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare"

Stamboll

Bashkimi Evropian kritikoi hapat e njëanshëm të Izraelit, me të cilët i jep vetes kontroll më të madh mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar këto veprime si "kundërproduktive dhe të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare", transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, si dhe komisaret Dubravka Suica dhe Hadja Lahbib, thanë se hapat e rinj rrezikojnë "të minojnë përpjekjet e vazhdueshme ndërkombëtare" që synojnë stabilizimin dhe paqen në rajon.

"Hapat e rinj të miratuar nga kabineti i sigurisë i Izraelit për Bregun Perëndimor janë kundërproduktive dhe të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare", thuhet në deklaratë.

BE-ja përsëriti gjithashtu qëndrimin e saj të kahershëm për mosnjohjen e sovranitetit të Izraelit mbi territoret e pushtuara që nga qershori i vitit 1967, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo paralajmëroi se vendimet që ndikojnë në zbatimin e Protokollit të Hebronit ndërmjet Izraelit dhe Autoritetit Palestinez mund të rrezikojnë status quo-në e ndjeshme në vendet fetare.

Duke riafirmuar përkushtimin ndaj zgjidhjes me dy shtete, blloku tha se mbështet krijimin e një shteti palestinez të pavarur, demokratik, të bashkuar territorialisht dhe funksional, që të jetojë krah për krah me Izraelin në paqe dhe siguri.

BE-ja theksoi se do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga masa të njëanshme që rrisin tensionet dhe dëmtojnë perspektivën për një marrëveshje të negociuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın