Politikë

BE-ja pritet të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

"Të hënën e ardhshme, synojmë të miratojmë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë. Sanksionet po funksionojnë. Ato po dëmtojnë rëndë ekonominë e Rusisë dhe çdo masë e re kufizon më tej aftësinë për të zhvilluar luftën", tha Kallas

Melike Pala  | 20.02.2026 - Përdıtësım : 20.02.2026
BE-ja pritet të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

Bruksel

Bashkimi Evropian(BE) do të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë të hënën e ardhshme, tha të premten shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp pas Takimit Ministror të Mbrojtjes E5 në Krakovë të Polonisë, me ministrat nga Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Polonia dhe Franca, së bashku me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s Radmila Shekerinska, Kallas tha se Evropa përballet me sfida të pashembullta sigurie.

"Siguria e Evropës është më e pasigurt sesa ka qenë në dekada. Rusia përbën një kërcënim të madh që është i qartë për të gjithë. Lindja e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe Kina është një sfidë afatgjatë, dhe lidhja transatlantike po ripërcaktohet", tha ajo.

Kallas tha se ndërsa ushtria e Rusisë është e bllokuar në Ukrainë, lufta e saj hibride, duke përfshirë sulmet kibernetike, sabotimin dhe ndërhyrjet me dronë, po intensifikohet në Evropë.

"Por edhe Evropa po përgjigjet. Ne po i sanksionojmë ata që janë përgjegjës. Kemi shtrënguar kontrollet e lëvizjeve të diplomatëve rusë. Kemi rritur veprimet kundër flotës së Rusisë dhe kemi vendosur ekipe reagimi hibrid në vendet partnere në rrezik", tha ajo.

Lidhur me sanksionet, Kallas tha: "Të hënën e ardhshme, synojmë të miratojmë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë. Sanksionet po funksionojnë. Ato po dëmtojnë rëndë ekonominë e Rusisë dhe çdo masë e re kufizon më tej aftësinë e saj për të zhvilluar luftën".

"(Presidenti rus Vladimir) Putin nuk do ta përfundojë këtë luftë derisa kostot të jenë më të larta se përfitimet, dhe kjo është pika që duhet të arrijmë", shtoi ajo.

Ajo gjithashtu foli edhe mbi bisedimet e fundit në Gjenevë, duke thënë se ato treguan se Rusia nuk po largohet nga "kërkesat e saj maksimaliste".

"Lufta është bërë edhe më brutale për Ukrainën gjatë vitit të kaluar; Rusia po i zvarrit negociatat në vend që të ecë drejt paqes... Ne duhet të shohim edhe lëshimet nga pala ruse në mënyrë që të kemi një paqe të qëndrueshme", tha ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın