BE-ja nis procedurë ndaj Sllovakisë pas ndryshimit kushtetues për njohjen e vetëm 2 gjinive
Bratisllava ka dy muaj kohë për t'u përgjigjur ndërsa kryeministri Fico këmbëngul se ndryshimet mbrojnë "sovranitetin" e Sllovakisë në çështjet e vlerave, kulturës dhe etikës
Istanbul
Komisioni Evropian nisi sot një procedurë për shkelje kundër Sllovakisë për shkak të një amendamenti kushtetues të miratuar së fundmi, i cili sipas Brukselit sfidon parësinë dhe zbatimin uniform të së drejtës së BE-së, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, organi ekzekutiv i BE-së tha se i ka dërguar qeverisë sllovake një njoftim zyrtar, duke kërkuar qartësime dhe sqarime shtesë lidhur me dispozitat e reja të shtuara në Nenin 7 të Kushtetutës. Bratisllava tani ka dy muaj kohë për t’iu përgjigjur, raportoi agjencia kombëtare e lajmeve e Sllovakisë.
Sipas KE-së, amendamenti u jep autoriteteve sllovake, përfshirë gjykatat, mundësinë të përcaktojnë “nëse dhe në çfarë mase ligji i BE-së, përfshirë vendimet e Gjykatës së Drejtësisë, mund të zbatohet në Sllovaki”. KE-ja theksoi se shqetësimet ia kishte komunikuar paraprakisht zyrtarëve sllovakë para miratimit të amendamentit, megjithatë, ligji u miratua pa reflektuar paralajmërimet.
Kryeministri sllovak Robert Fico paralajmëroi më herët këtë muaj se KE-ja po përgatitej të ndërhynte. Ai kritikoi kundërshtimet e Brukselit, duke argumentuar se neni i kontestuar forcon sovranitetin e Sllovakisë në çështje të “vlerave dhe etikës”.
“E presim me padurim këtë konflikt. Nuk mund ta imagjinoj që ndonjë organizatë ndërkombëtare duhet të na tregojë sa gjini duhet të ekzistojnë dhe kush mund të martohet e kush jo”, tha Fico më 7 nëntor.
Nëse Sllovakia nuk jep një shpjegim të kënaqshëm ose nuk ndryshon legjislacionin, KE-ja mund të kalojë në hapin tjetër dhe të lëshojë një opinion të arsyetuar. Çështja mund të përfundojë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, gjë që potencialisht mund të sjellë ndëshkime financiare nëse Sllovakia nuk zbaton vendimin.
Megjithatë, Martin Vokalek, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikë Evropiane “Europeum”, i tha agjencisë TASR se këto procedura zakonisht zgjasin me vite. “Prandaj, në interes të KE-së është, para së gjithash, të zhvillojë dialog me shtetin dhe të përpiqet të zgjidhë situatën pa përshkallëzim të mëtejshëm”, tha ai.
Amendamenti, i cili hyri në fuqi më 1 nëntor, definon vetëm dy gjini të përcaktuara biologjikisht, burrë dhe grua, dhe shton një garanci kushtetuese për pagë të barabartë mes burrave dhe grave. Ai përmban klauzola që lidhen me adoptimin dhe procesin arsimor, me qeverinë që e paraqet atë si një përpjekje për të “garantuar sovranitetin e Sllovakisë në çështjet e vlerave, kulturës dhe etikës”.
KE-ja hapi procedurë të veçantë shkeljeje kundër Sllovakisë për mungesë të masave të mjaftueshme për uljen e emetimeve të amoniakut që kontribuojnë në ndotjen e ajrit.
