Politikë

BE: Gaza duhet të jetë pjesë përbërëse e shtetit të ardhshëm palestinez

Hipper tha se situata në terren në Gaza “mbetet e padurueshme”, duke bërë thirrje për përpjekje të menjëhershme për të siguruar qasje humanitare dhe për të de-përshkallëzuar konfliktin

Melike Pala  | 05.08.2025 - Përdıtësım : 05.08.2025
BE: Gaza duhet të jetë pjesë përbërëse e shtetit të ardhshëm palestinez

Bruksel

Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin se Gaza duhet të jetë pjesë përbërëse e një shteti të ardhshëm palestinez, duke theksuar urgjencën për të lehtësuar ndihmën humanitare dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në enklavën e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.

Duke folur në konferencën ditore për media, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se situata në terren në Gaza “mbetet e padurueshme”, duke bërë thirrje për përpjekje të menjëhershme për të siguruar qasje humanitare dhe për të de-përshkallëzuar konfliktin.

“Prandaj është shumë pozitive që OKB-ja dhe Izraeli kanë arritur një mirëkuptim për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza”, tha ajo, duke shtuar se edhe pse ka “zhvillime pozitive në disa parametra kyç” duhet bërë shumë më tepër.

Hipper theksoi se pozicioni i BE-së është i qartë se “Gaza duhet të jetë pjesë përbërëse e shtetit të ardhshëm palestinez”.

Ajo theksoi se blloku kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për të ndryshuar statusin demografik apo gjeografik të territorit, përfshirë “edhe kur bëhet fjalë për okupimin izraelit të Gazës”.

E pyetur pse shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, është e heshtur për Gazën, Hipper u përgjigj se ajo “ka qenë jashtëzakonisht e zëshme”, duke iu referuar deklaratave të saj publike dhe postimeve në rrjetet sociale.

Në përgjigje të një pyetjeje nëse Kallas beson se në enklavën palestineze po ndodh uria, Hipper nuk dha një pohim të drejtpërdrejtë, por tha se, “Përfaqësuesja e Lartë ka qenë shumë e qartë dhe ka dalë fuqishëm kundër situatës sa i përket vrasjeve, katastrofave humanitare, pamjeve të padurueshme, të patolerueshme që kemi parë dhe që janë të pambrojtshme”.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 60 mijë njerëz në Gaza.

Sulmet ajrore dhe tokësore të pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe së bashku me bllokadën dhe shpërndarjen e dobët të ndihmës kanë sjellë mungesë ekstreme ushqimi, duke shkaktuar vdekje nga uria. Ministria e Shëndetësisë thotë se të paktën 188 persona, përfshirë 94 fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja që nga fillimi i luftës, gati dy vite më parë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.