Autoriteti zviceran urdhëron shpërbërjen e Fondacionit Humanitar të Gazës në Gjenevë
- Mekanizmi i GHF-së u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar dhe u dënua nga OKB-ja pasi qindra palestinezë u vranë gjatë shpërndarjeve kaotike të ndihmave, duke bërë që hetuesit e OKB-së ta etiketonin iniciativën si "skandaloze"

Gjenevë
GJENEVË (AA) - Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e ndihmës kontroverse e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja që aktualisht vepron në Gaza, po shpërbëhet zyrtarisht në Gjenevë, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik zviceran RTS raportoi se fondacioni GHF hapi zyrën në Gjenevë në fillim të këtij viti si një përpjekje alternative nga Izraeli për të anashkaluar shpërndarjen e ndihmës në Gaza përmes kanaleve të OKB-së.
Sipas RTS-së, Autoriteti Federal Mbikëqyrës Zviceran për Fondacionet (ASF) urdhëroi mbylljen pasi përcaktoi se GHF nuk kishte më një përfaqësues ose adresë zvicerane dhe nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të korrigjuar problemin. Departamenti i Punëve të Brendshme e konfirmoi vendimin.
Në fillim të qershorit, Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës konfirmoi për Anadolu se statusi ligjor i degës kontroverse të GHF-së në Gjenevë vlerësohet të jetë "jo-aktive" dhe "jo në përputhje" me kërkesat ligjore.
Mekanizmi i GHF-së u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar dhe u dënua nga OKB-ja pasi qindra palestinezë u vranë gjatë shpërndarjeve kaotike të ndihmave, duke bërë që hetuesit e OKB-së ta etiketonin iniciativën si "skandaloze".
Shqetësimi i përhapur çoi në dorëheqjen e drejtorit të saj zviceran. Organizata joqeveritare zvicerane ‘TRIAL International’ paraqiti dy ankesa pranë autoriteteve federale, duke kërkuar transparencë në lidhje me operacionet e fondacionit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.