Zelenskyy akuzon Rusinë për përpjekje "sistematike" për të rekrutuar shtetas kinezë për luftën në Ukrainë
Presidenti ukrainas tha se “gjithçka e nevojshme” duhet të bëhet për të siguruar që “Rusia të mos ketë mundësi të tilla dhe të ngjashme për të zgjatur dhe zgjeruar luftën”
Istanbul
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi sot Rusinë se po bën përpjekje “sistematike” për të rekrutuar shtetas kinezë për luftën e saj më shumë se trevjeçare në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në një postim në X, Zelenskyy tha se Kievi vazhdon të hetojë të gjitha detajet rreth përfshirjes së qytetarëve kinezë në ushtrinë ruse në Ukrainë.
Ai tha se Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës po kryen veprimet e nevojshme procedurale me dy shtetasit kinezë që ai pretendoi se janë kapur në rajonin lindor të Donetskut.
Presidenti ukrainas tha se informacionet po shqyrtohen gjithashtu në lidhje me përfshirjen e individëve të tjerë në veprimet e Rusisë kundër Ukrainës.
“Është shumë e qartë se këto nuk janë raste të izoluara, por përpjekje sistematike ruse, veçanërisht në territorin dhe brenda juridiksionit të Kinës, për të rekrutuar qytetarë të atij vendi për luftë”, shtoi ai.
Udhëheqësi ukrainas tha se “gjithçka e nevojshme” duhet të bëhet për të siguruar që “Rusia të mos ketë mundësi të tilla dhe të ngjashme për të zgjatur dhe zgjeruar luftën”.
Zelenskyy më herët tha se të paktën 155 shtetas kinezë dihet se po luftojnë për Rusinë në Ukrainë dhe se rekrutimi po bëhet përmes platformave të mediave sociale.
Kina i ka cilësuar pretendimet si “pa bazë në fakte” dhe “të papërgjegjshme” dhe se po verifikon me Ukrainën informacionet për arrestimet.
Ministria e saj e Jashtme tha se Kina “u kërkon gjithmonë shtetasve kinezë të qëndrojnë larg zonave të konfliktit të armatosur dhe të shmangin çdo formë përfshirjeje në konflikte të armatosura”.
“Ne i bëjmë thirrje palës përkatëse që të jetë e drejtë dhe e matur në lidhje me rolin e Kinës në vend të komenteve të papërgjegjshme”, tha sot zëdhënësi Lin Jian në një konferencë shtypi në Pekin.
Zyra presidenciale e Rusisë ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet e Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
