Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria paralajmërojnë dinamikë më intensive për zgjidhjen e çështjeve të hapura
Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov tha se të dyja qeveritë po theksojnë gjërat që ofrojnë mundësi për pasurimin e marrëdhënieve të ndërsjella

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij bullgar, Kiril Petkov, i cili qëndron në vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky është takimi i parë zyrtar me një delegacion të jashtëm që kryeministri i sapozgjedhur, Dimitar Kovaçevski, po e bën si nikoqir, pasi dje zyrtarisht mori detyrën dhe kabinetin e kryeministrit të deritanishëm, Zoran Zaev.
Duke theksuar se në të dyja vendet ka qeveri të reja, kryeministri Kovaçevski paralajmëroi dinamikë më intensive për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Ai tha se vizita e sotme përkon me 30-vjetorin e njohjes së vendit nga Republika e Bullgarisë me emrin e saj kushtetues, duke shtuar se Bullgaria ishte e para që e njohu vendin dhe bëri një akt miqësor në kushte jashtëzakonisht komplekse politike.
“Sot ramë dakord me kryeministrin Petkov që Bullgaria të pranojë përdorimin e emrit të shkurtër Maqedonia e Veriut si dhe emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo do të thotë se Bullgaria nuk do të pengojë më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces ndërkombëtar apo dypalësh, ndërsa për këtë informoni edhe Kombet e Bashkuara", tha Kovaçevski.
Kryeministri i Bullgarisë, Petkov tha se të dyja qeveritë po theksojnë gjërat që ofrojnë mundësi për pasurimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe se grupet punuese, të cilat do të takohen çdo javë, do të fokusohen në çështjet specifike që duhet të zgjidhen.
“Tani e tutje, çdo javë një nga grupet do të takohet me qëllime dhe rezultate të qarta, në mënyrë që t'u tregojmë popujve tanë në të dyja anët se fqinjësia e mirë tashmë është e matshme në nivelin e rezultateve reale, në nivelin e biznesit dhe të udhëtimit nga Sofja në Shkup për 20 minuta”, tha kryeministri bullgar Petkov.
Ai shtoi se Marrëveshja e nënshkruar për Fqinjësi të Mirë ka një përcaktim shumë të qartë sa i përket gjuhës dhe tezës së gjuhës.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve. Bullgaria nuk e miraton kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), sepse ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën maqedonase.
Kujtojmë se në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Qeveria e koalicionit e ish-kryeministrit bullgar Bojko Borisov i dorëzoi Bashkimit Evropian një dokument ku theksohen kushtet që duhet të përmbushë Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Më vonë, në nëntor 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.