Kina u bën thirrje Afganistanit dhe Pakistanit të tregojnë përmbajtje dhe të zbatojnë armëpushimin
"Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit dhe thellësisht e trishtuar nga viktimat e shkaktuara nga konflikti", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning
Istanbul
Kina shprehu të premten "shqetësim të thellë" për përplasjet kufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit, duke u kërkuar të dyja palëve të "ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje" dhe "të realizojnë armëpushimin", transmeton Anadolu.
Pekini "po ndjek nga afër zhvillimet e situatës. Pakistani dhe Afganistani janë fqinjë të ngushtë, dhe të dy janë vende fqinje të Kinës. Si fqinj dhe mik, Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit dhe thellësisht e trishtuar nga viktimat e shkaktuara nga konflikti", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
Deklarata nga Pekini erdhi mes përplasjeve të ashpra kufitare midis Pakistanit dhe Afganistanit që nga nata e së enjtes.
Të paktën 14 persona u vranë, përfshirë katër civilë dhe 10 ushtarë, përgjatë kufirit Pakistan-Afganistan.
"Konflikti aktual është më intensiv se më parë", tha Mao, duke paralajmëruar kundër përshkallëzimit.
Mao tha se Kina "mbështet luftimin e të gjitha formave të terrorizmit dhe u bën thirrje të dyja palëve të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje, të zgjidhin siç duhet dallimet dhe mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut dhe konsultimit".
Të dyja palët duhet të “realizojnë armëpushimin sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur më shumë vuajtje për njerëzit… Kjo i shërben interesave themelore të të dy vendeve dhe popujve dhe do të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Mao.
Kina ka punuar për ndërmjetësimin midis Pakistanit dhe Afganistanit “përmes kanaleve të veta dhe është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në qetësimin e situatës dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, shtoi ajo.
“Ministria dhe ambasadat tona në të dy vendet po angazhojnë palët përkatëse për këtë qëllim”, tha Mao.
Pekini gjithashtu i bëri thirrje Pakistanit dhe Afganistanit të garantojnë sigurinë e personelit, projekteve dhe institucioneve kineze në të dy vendet, shtoi Mao.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
