BE: Situata humanitare në Gaza mbetet "shumë e vështirë" për shkak të bllokadës izraelite
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen tha se ndikimi humanitar në terren mbetet i rëndë dhe po përkeqësohet më tej nga efektet komulative të bllokadës
Bruksel
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se situata humanitare në Gaza mbetet "shumë e vështirë", kryesisht për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite që vazhdon të pengojë shpërndarjen e ndihmës thelbësore, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen tha se ndikimi humanitar në terren mbetet i rëndë dhe po përkeqësohet më tej nga efektet komulative të bllokadës.
"Ka përparim të pjesshëm në lidhje me parametrat e ndryshëm që kemi vendosur për ndihmën humanitare", tha Itkonen, duke iu referuar raporteve të fundit mbi kamionët me ndihma, pikat e kalimit dhe qasjen në karburant.
"Ajo që mund të themi është se situata, padyshim, pothuajse pa nevojë të thuhet, mbetet shumë e vështirë për sa i përket ndikimit në terren dhe jo më pak për shkak të efektit të akumuluar në bllokadë", tha ajo.
Zyrtarja theksoi se autoritetet izraelite ende nuk autorizojnë hyrjen e personelit të BE-së ose të kamionëve të ndihmës në Gaza, duke e penguar bllokun evropian të verifikojë sasinë e saktë të shpërndarjes së ndihmës.
"Ne nuk kemi prani atje. Ne nuk kemi qasje atje. Pra, ne mbështetemi te OKB-ja për këtë informacion. Pavarësisht këtij përparimi të pjesshëm, ne nuk jemi aty ku do të donim të ishim për sa i përket sasisë së kamionëve që janë në gjendje të shkojnë drejt destinacionit", shtoi Itkonen.
Arianna Podesta, një tjetër zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se BE-ja mbetet e përqendruar në mbështetjen e popullsisë civile dhe në shtytjen për të rritur qasjen humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.
Izraeli është përballur me zemërim në rritje për luftën shkatërruese në Rripin e Gazës, ku ka vrarë mbi 61.200 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
