Politikë

Zhvillimet kryesore që shënuan vitin 2015 në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri

Ngjarja kryesore e vitit që zgjoi interesin e opinionit botëror ishte përleshja e armatosur në "Lagjen e Trimave" në Kumanovë më 9 dhe 10, ku mbetën të vrarë tetë policë dhe 10 pjesëtarë nga grupi i armatosur

Ekip, Fatjon Cuka, Agon Fehmiu, Bekim Laci  | 26.12.2015 - Përdıtësım : 26.12.2015
Zhvillimet kryesore që shënuan vitin 2015 në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri

PRISHTINË/SHKUP/TIRANË

 PRISHTINË/SHKUP/TIRANË (AA) - Protesta, arrestime deputetësh, shpalosje e përgjimeve ilegale telefonike, përleshje të armatosura me dhjetëra të vrarë dhe dështime në rrafshin diplomatik, krizë refugjatësh, etj, janë vetëm disa nga  zhvillimet që veçuan vitin që po lëmë pas në tre shtetet, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, të cilat Anadolu Agency ua sjellë në mënyrë kronologjike.

Muaji shkurt u veçua me vazhdimin e ikjes ilegale të kosovarëve në vendet e BE-së, madje me një trend të rritur. Nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, për në Beograd, çdo mbrëmje niseshin nga 10 autobusë, duke mos përfshirë edhe nisjet nga qytetet e tjera dhe udhëtimet me automjete të tjera. Sipas një përllogaritjeje, brenda tre muajve, rreth 50 mijë qytetarë nga Kosova kishin migruar ilegalisht për në Evropë. Reagimi i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës e cila vizitoi të gjitha komunat e Kosovës për të vetëdijesuar qytetarët lidhur me dëmet nga migrimi illegal, bëri që fluksi të ndalet pothuajse tërësisht.

Vendimi i parë i vështirë i Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 sivjet kishte të bënte me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca e parë më 26 qershor  dështoi pasi nuk u votua miratimi i ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugë krijimit të kësaj gjykate, për shkak të mungesës së dy të tretave të votave të Kuvendit. Megjithatë, pas një presioni të madh brenda partiak por edhe të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, Kuvendi arriti që t’i miratoi amendamentet kushtetuese që mundësonin formimin e Gjykatës Speciale.

Ende pa u qetësuar mirë situata rreth Gjykatës Speciale, në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës nënshkroi dy marrëveshje që më vonë shkaktuan krizë politike dhe protesta të ashpra të opozitës. Fillimisht, me 25 gusht në Bruksel, Qeveria e Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishte nënshkruar katër marrëveshje me Serbinë, ndër to edhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërkohë në Vjenë nënshkroi edhe marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Këto dy marrëveshje opozita i cilësoi si të dëmshme për shtetin e Kosovës për shkak se cenonin sovranitetin, integritetin territorial dhe rrezikonin de-funksionalizimin e shtetit. Kjo solli deri tek kriza më e madhe politike që nga viti 1999 që ende po zgjat.

Së pari, në fund të shtatorit, opozita kishte gjuajtur me vezë kryeministrin e Kosovës Mustafën kur tentoi të raportonte për marrëveshjet në Kuvend. Veprimet e opozitës u radikalizuan deri në masën që, gjatë seancave plenare, deputetët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës hidhnin gaz lotsjellës duke pamundësuar punën e Kuvendit.

Si rrjedhojë në nëntor 2015, organet e rendit dhe drejtësisë, prokuroria, policia dhe gjyqësori nisën procedura ligjore duke arrestuar, hetuar dhe caktuar masa të paraburgimit apo masa tjera të ndalesave të lëvizjes së lirë për deputetët e tre subjekteve opozitare.

Duke u kthyer në tetor 2015, Kosova shënoi edhe një mossukses në planin ndërkombëtarë pasi që më 9 tetor në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë së UNESCO-së, dështoi të pranohet në Organizatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të  Kombeve të Bashkuara.

Fundi i vitit shënoi një tjetër dështim për Kosovën sepse Komisioni Evropian nuk  rekomandoi liberalizimin e vizave. Në raportin e fundit të interpretuar nga komisioneri për Punë të Brendshme dhe Migrim i Komisionit Evropian, Avramopoulos, theksohet se Kosova duhet t’i plotësojë edhe 8 kritere të mbetura.

Në fund, me 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës u përgjigj në kërkesën e presidentes së Kosovës e cila kishte kërkuar mendimin lidhur me kushtetutshmërinë e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke vendosur se disa prej pjesëve të marrëveshjes janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Opozita këtë e pa si fitore të saj ndaj pushtetit aktual dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij Thaçi.

Sukseset e Kosovës gjatë 2015-ës-

Pa dyshim se lajmi më i  mirë për Kosovën gjatë vitit 2015 erdhi më 27 tetor kur në Strasburg u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim - Asociimit, me çka u realizua marrëdhënia e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Sporti si zakonisht është ai i cili sjell lajme të mira për Kosovën, në veçanti xhudistët kosovar. Kësaj radhe ishte Nora Gjakova ajo e cila gëzoi Kosovën me medalje të bronztë nga lojërat e para olimpike kontinentale. Medalja e cila vlerësohet si e para olimpike e sportit të pavarur të Kosovës u fitua në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, ndërsa po në këtë vit u bë edhe pranimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në FIBA. Këtë lajm të mirë nga basketbolli e përcolli edhe suksesi më i madh i basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, shpallja e skuadrës Sigal Prishtina kampione e BIBL – Ligës Ballkanike të Basketbollit.

-Maqedonia në vitin 2015-

 Protesta masive, shpalosja e të ashtuquajturave "bomba politike" nga ana e opozitës maqedonase dhe negociatat disa mujore për zgjidhje të krizës politike, përleshja e armatosur mes policisë dhe grupit të armatosur në Kumanovë që rezultoi me dhjetëra të vrarë dhe kriza me refugjatët janë disa nga ngjarjet të cilat shënuan vitin 2015 në Maqedoni.

 Viti filloi me vazhdimin e protestave nga vjeshta e 2014-tës, në të cilat gazetarët dhe OJQ të ndryshme protestonin para gjykatës së Apelit kundër arrestimit të gazetarit Tomisllav Kezharovski, ndërsa vazhduan me protestën e punonjësve me honorarë  si rrjedhojë e propozimit të qeverisë që 35 përqind nga të ardhurat të shkojnë për tatime dhe kontribute personale.

Kriza politike e nisur më herët, mori një dimension tjetër pasi kryeministri Nikolla Gruevski në një paraqitje televizive për opinionin në shtet, më 31 janar, akuzoi liderin opozitar Zoran Zaev për tentativë puçi pasi siç tha e kishte shantazhuar Gruevskin se posedon materiale komprometuese për zyrtarë të lartë të qeverisë. 

Më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal për katër persona njëri nga të cilët ishte Zaev. Ky i fundit më 9 shkurt në një konferencë për mediat akuzoi pushtetin se ka bërë përgjime ilegale të mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë, në mesin e të cilëve politikanë, zyrtarë të ndryshëm, gazetarë dhe personalitete publike, për çka publikonte materiale të përgjuara.

Nga zhvillimet që nuk mund të anashkalohen është edhe kriza me refugjatët, e cila filloi të marrë jehonë në muajin prill më konkretisht nga vdekja e 14 migrantëve afgan dhe somalez si pasojë e shtypjes nga treni. Shifrat e MPB-së flasin se gjatë këtij viti, në Republikën e Maqedonisë kanë vdekur gjithsej 28 migrantë. Vijon vala e madhe e refugjatëve nga lindja, dhe vetëm pas protestave të qytetarëve më 18 qershor  qeveria solli vendim për të lejuar qëndrimin e përkohshëm të migrantëve.

-Muaji që shënoi vitin 2015-

Padyshim, ngjarja kryesore e vitit në Maqedoni por që njëkohësisht zgjoi interesin e opinionit botëror ishte përleshja e armatosur mes policisë dhe një grupi të armatosur  në "Lagje të Trimave" në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, ku mbetën të vrarë tetë policë dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa nga grupi i armatosur 10 pjesëtar mbetën të vrarë dhe 29 u arrestuan.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje tragjike, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakievaski si dhe shefi i Drejtorisë për Kundërzbulim, Sasho Miijallkov dhanë dorëheqje nga postet e tyre.

Kriza politike në Maqedoni thellohej çdo ditë e më shumë, për çka opozita maqedonase organizoi një tubim masiv para qeverisë më 17 maj, ndërsa një ditë më vonë edhe pushteti organizoi një kundër protestë.  

Ndërkohë, partitë politike negocionin me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, SHBA-të dhe BE dhe pas negociatave të mundimshme, më 2 qershor në Përzhinë, BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO arritën marrëveshje për zgjidhje të krizës politike, protokolli i të cilës u nënshkrua më 15 korrik.

Sipas marrëveshjes në prill të vitit 2016 do të duhet të mbahen zgjedhje parlamentare të parakohshme, ndërsa marrëveshja rezultoi edhe me kthimin e opozitës në Parlament, emërimin e Prokurores speciale, Katica Janeva dhe dy ministrave qeveritar nga radhët e opozitës. Oliver Spasovski u zgjodh ministër i Brendshëm dhe Frosina Remenski ministre e Punës dhe Politikave Sociale.

Maqedonia si shtet vazhdon të përballet me fluksin e refugjatëve dhe vetëm gjatë këtij viti mbi 355 mijë refugjatë kanë kaluar transit në territorin e Maqedonisë.  Në bazë të shtetësisë, më të shumtë janë ata nga Siria, 201.506, pastaj nga Afganistani 87.399 shtetas, nga Iraku 45.875, nga Irani 6.231, etj.

-Shqipëria në vitin 2015-

Viti 2015 ka shënuar disa ngjarje të rëndësishme në Shqipëri, duke filluar nga zhvillimet e brendshme e deri tek vizitat e disa prej personalitete të larta të politikës botërore.

Kështu më 26 mars arrestohen deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Prokuroria e Përgjithshme me anë të një kërkese zyrtare i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë, dhënien e autorizimit për arrestimin e deputeteve Doshi dhe Frroku, me pretendimin se Doshi ka sajuar ngjarjen dhe akuzat publike ndaj kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për përgatitjen e vrasjes nga ky i fundit ndaj tij dhe kolegut tjetër Mhill Fufi, ndërsa Frroku ka bashkëpunuar në sajimin e kësaj situate.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan më 13 maj zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku merr pjesë në ceremoninë e hedhjes së themelit të Xhamisë së Namazgjasë.

Më 27 maj në Shqipëri realizohet një vizitë historike. Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë, viziton Shqipërinë, ku u prit me nderime të larta shtetërore.

 Më 8 korrik Kancelarja gjermane, Angela  Merkel në vizitën e saj zyrtare në Shqipëri ka dhënë sinjale të qarta se mbështet perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Merkel u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar.

Sa i përket botës së futbollit  viti 2015 do të ishte viti që do të shënonte një arritje historike për kombëtaren shqiptare në futboll. Më 11 tetor ekipi kombëtar i futbollit të Shqipërisë është kualifikuar zyrtarisht për në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Me fitoren e siguruar në Jerevan kundër Armenisë me rezultatin 0:3, ekipi shqiptar tashmë realizoi ëndrrën historike, pasi luajti ndeshjen e fundit në grup, në kuadrin e eliminatoreve të këtij kampionati. Ndërsa ndeshja Shqipëri – Serbi, e cila u tërhoqi vëmendjen e opinionit vendas dhe botëror, u zhvillua më 8 tetor në “Elbasan Arena”.

Më 10 dhjetor sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Kjo ishte vizita e parë e një sekretari të NATO-s pas anëtarësimit të vendit në Aleancë.

Ndërkohë edhe në Shqipëri, opozita gjatë vitit 2015 ka mbajtur disa protesta, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın