Politikë

Zhbogar: Zgjerimi është investim strategjik për BE-në

"Metedologjia është një lajm i mirë për BE-në meqë ajo njeh se zgjerimi është investim strategjik për Unionin me qëllim që ai të jetë stabil dhe i bashkuar", tha euroambasadori Zhbogar

Admir Fazlagikj   | 07.02.2020
Zhbogar: Zgjerimi është investim strategjik për BE-në

Shkup

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar, mbajti një takim me gazetarët ku tema ishte metodologjia e re për zgjerim të BE-së për të cilën tha se është lajm i mirë dhe një situatë fito-fito (“win-win”) për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Zhbogar-it, metedologjia e re është një lajm i mirë për BE-në meqë ajo njeh se zgjerimi është investim strategjik për Unionin me qëllim që ai të jetë stabil dhe i bashkuar.

“Për rajonin është me rëndësi meqë riafirmon faktin se anëtarësimi i plotfuqishëm është qëllimi final i procesit. Qëllimi i dokumentit është që të restartojë dhe përshpejtojë procesin i cili humbi një pjesë të energjisë nga të dyja palët, por edhe të kthehet besimi i të dyja palëve”, deklaroi Zhbogar.

Ai shtoi se për të dyja palët “qëllimi është që të kalohet nga pak e më pak në shumë për më shumë”.

“Kjo do të thotë të futet më shumë sinqeritet nga të dyja palët në rrugën e përbashkët. Për vendet kandidate kjo do të thotë se kur të thonë se janë duke bërë reforma, vërtetë ta reformojnë shoqërinë, e jo vetëm të sjellin ligje. Nga ana e BE-së do të thotë sinqeritet kur flasim për procesin e zgjerimit se vërtetë mendojmë se rruga shpie drejt anëtarësimit në BE”, tha Zhbogar.

“Ka gjëra që akoma duhet bërë për të demonstruar përkushtim në të ardhmen evropiane nga ana e Maqedonisë së Veriut. Të vazhdohet me reformat e mira, të zbatohen zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe të vazhdohet me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, shtoi Zhbogar.

Lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut përsëriti deklaratën e komisionerit për Zgjerim të BE-së Oliver Varhelyi, duke theksuar se Komisioni Evropian nuk e shtroi Ligjin për Zyrën e Prokurorit Publik si kërkesë, por se ky ligj duhet bërë për më shume arsye.

Sipas Zhbogar-it, miratimi i këtij ligji do të tregojë një ndryshim në mendimin se cili është minimumi i nevojshëm për hapjen e bisedimeve, drejt asaj se si të shfrytëzojmë sa më shumë bisedimet për të ndryshuar shtetin tonë që të rinjtë të mos largohen.

Eurokomisari për Zgjerim Varhelyi të mërkurën prezantoi metodologjin e re për zgjerim. Ai tha se bisedimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndërtohen në bazë të besimit, forcimit të marrëdhënieve politike, dinamikën dhe parashikimit.

Pas njoftimit të metodologjisë së re për bisedimet aderuese në BE, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov tha se mirëpret përpjekjet e KE-së për të përmirësuar procesin e pranimit në BE.

"Ne besojmë se kjo qasje e rinovuar do të rezultojë në një fitore të dyfishtë në javët e ardhshme: hapjen e bisedimeve së bashku në një proces të përparuar", tha Dimitrov.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın