Zgjidhet Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë me 62 vota pro dhe 44 kundër zgjodhi Qeverinë e re të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev
Shkup
SHKUP (AA) - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme në të cilën në rend dite ishte zgjedhja e Qeverisë së Maqedonisë, në prani të 111 deputetëve, prej të cilëve 62 votuan “pro”, 44 kundër dhe 5 të përmbajtur, zgjodhën Qeverinë e Re të Republikës së Maqedonisë të kryesuar nga Zoran Zaev si kryeministër, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat e kabinetit të ri dhanë betimin solemn pas zgjedhjes së Qeverisë së re nga ana e shumicës së Kuvendit të Maqedonisë.

Zaev: Do të ndërtojmë shoqëri të barabartë për të gjithë
Para zgjedhjes së Qeverisë së re, tani kryeministri Zoran Zaev mbajti një fjalim ku u përqëndrua në çështjen e emrit duke paralajmëruar se zgjidhja do të merret duke biseduar me opozitën dhe fjalën e fundit do ta japin qytetarët në referendum. Ai tha se qëllimi i tyre është që të gjejnë zgjidhje, e jo të bllokojnë procesin.
Zaev në fjalimin e tij replikoi ndaj deputetëve që shprehën kritika nga foltorja e Kuvendit gjatë debatit mbi pikën e rendit të ditës, gjegjësisht zgjedhjen e Qeverisë. Sipas tij debati ka kaluar në atmosferë konstruktive, duke thënë se për të të gjithë ministrat janë të barabartë.
“Nëse dikush tenton të ndikojë mbi gjykatës ose prokurorë më mirë vet të jep dorëheqje”, tha Zaev.
Para votimit u drejtua edhe lideri i VMRO-DPMNE-së tani opozitare dhe ish-kryeministër Nikolla Gruevski, i cili tha se Qeveria të cilën ai e ka udhëhequr ka pasur shumë rezultate pozitive, të cilat për disa kanë qenë mbi pritjet.

“Ishim objektiv i një operacioni të qendrave të jashtme për ndryshimin e pushtetit”, tha Gruevski. Sipas tij, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në kundërshtim me rregulloren, ligjin dhe Kushtetutën u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe u imponua shumica e re dhe Qeveria e re. Gruevski tha se kjo ndodhi me forcë dhe në mënyrë jodemokratike.
Pasi u zgjodh Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë, dhjetëra qytetarë, simpatizantë të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë u mblodhën para godinës së Kuvendit dhe filluan të kremtojnë zgjedhjen e Qeverisë së re.
Kabineti i ri i Qeverisë së Maqedonisë
Përbërja e Qeverisë së re që e parashtroi kreu i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), kryeministri i sapozgjedhur Zoran Zaev, do të përfaqësohet nga tre subjekte politike, nga LSDM-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”.

Nga radhët e LSDM-së Radmilla Shekerinska është zgjedhur ministre e Mbrotjes, Oliver Spasovski ministër i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski ministër i Financave, NIkolla Dimitrov ministër i Punëve të Jashtme, Renata Treneska-Deskovska ministre e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Milla Carovska ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Robert Allazjizovski ministër i Kulturës, si dhe gjashtë ministra pa portofol, përfshirë edhe Koço Angjushev i cili siç është paralajmëruar do të jetë zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.
Nga radhët e BDI-së Sadulla Duraku është zgjedhur ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë, Bylent Salihu ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani zv/kryeministër për Eurointegrime, Hazbi Lika i cili sipas paralajmërimeve do të jetë zëvendëskryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve, si dhe një ministër pa portofol.
Ndërsa nga radhët e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët” Arben Taravari është zgjedhur ministër i Shëndetësisë, si dhe Suhejl Fazliu ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
