Politikë

Zgjedhjet vendore në Shqipëri do të mbahen më 14 maj 2023

Në dekretin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë thuhet se data 14 maj është caktuar nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore

Fatjon Cuka  | 24.10.2022 - Përdıtësım : 25.10.2022
Zgjedhjet vendore në Shqipëri do të mbahen më 14 maj 2023

Tiranë

Zgjedhjet e ardhshme vendore në Shqipëri do të mbahen më 14 maj 2023, sipas dekretit të nënshkruar sot nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në dekretin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë thuhet se data 14 maj 2023 është caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

"Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare", thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Gjithashtu theksohet se "Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë".

Më tej theksohet se Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

"Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike", thuhet ndër të tjera në njoftim.

Kujtojmë se zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri janë mbajtur më 30 qershor 2019.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın