Politikë

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj

Shkaku themelor për caktimin e 11 majit qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative

Fatjon Cuka  | 05.12.2024 - Përdıtësım : 05.12.2024
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj

Tiranë

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025, transmeton Anadolu.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar sot caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, "me qëllim që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit".

"Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet", thuhet në njoftim.

Presidenti Begaj zhvilloi konsultime me përfaqësues të partive politike dhe KQZ-së në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 11 maj janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare në vend që pas përmbysjes së regjimit komunist.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.