Politikë

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Mbyllen qendrat e votimit në mbarë territorin

Dalja më e madhe në zgjedhje është regjistruar në komunën Shtërpcë, ku 42,68 për qind e qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votës, ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën Dragash me një dalje prej 18,89 për qind

Besar Ademi  | 06.10.2019 - Përdıtësım : 06.10.2019
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Mbyllen qendrat e votimit në mbarë territorin ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u hapën në mënyrë të rregullt në orën 07:00, janë mbyllur në ora 19:00 në të gjithë territorin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili fillon me numërimin e votave menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dalja në zgjedhje deri në orën 15:00 ishte 29,24 për qind apo 566.642 qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës nga gjithsej 1.937.868 votues të regjistruar.

Nga këto të dhëna, dalja më e madhe në zgjedhje është regjistruar në komunën Shtërpcë, ku 42,68 për qind e qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votës, ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën Dragash me një dalje prej 18,89 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën e fundit për media tha se procesi i votimit në mbarë vendin është duke vijuar në rregull, duke veçuar, siç tha ajo, “disa incidente që nuk e kanë dëmtuar procesin zgjedhor”. Ajo po ashtu theksoi se deri në ora 15:00, në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2017 kishin votuar 27,75 për qind apo 497.120 votues të regjistruar.

Konferenca e radhës për media e KQZ-së do të mbahet në ora 19:30, ku pritet të shpaloset numri i votuesve deri në mbylljen e procesit zgjedhor, ndërsa rezultat preliminare pritet të dalin sonte më vonë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit nga autoritetet përkatëse, gjatë procesit zgjedhor janë raportuar disa raste të ndryshme, por pas verifikimit të informatave nga prokurorët në terren janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të ndaluar të cilët lidhen me procesin zgjdhor.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, njoftoi se ata janë ndaluar për kryerjen e veprave penale, të tilla si “cenim i fshehtësisë së votimit”, “keqpërdorim i së drejtës së votimit”, “asgjësim i dokumenteve të votimit”, “parandalim i së drejtës të votimit” dhe “pengim i procesit të votimit”.

Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore u pëfshinë 25 subjekte politike, nga to 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku garuan gjithsej pesë kandidatë për postin e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, dhjetë do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe dhjetë për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.