WWF: Konsumi i BE-së shkatërron 100 pemë në minutë
"Kërkesa e bllokut shkaktoi humbjen e 149 milionë pemëve midis viteve 2021-2023", tregon një studim i ri
Bruksel
Konsumi i Bashkimit Evropian (BE) ishte përgjegjës për humbjen e 149 milionë pemëve në të gjithë botën midis viteve 2021 dhe 2023, tregon një studim i ri i porositur nga grupi mjedisor Fondi Botëror për Natyrën (WWF), transmeton Anadolu.
Studimi shqyrton ndikimin e kërkesës së BE-së për mallrat kryesore, përfshirë sojën, vajin e palmës, kakaon, kafenë, mishin e viçit, lëkurën, gomën dhe drurin industrial të rrumbullakët ndërsa zbulon se konsumi i bllokut çoi në humbje mesatare prej 50 milionë pemësh në vit, ekuivalente me 100 pemë çdo minutë.
WWF thotë se gjetjet nxjerrin në pah nevojën urgjente për zbatimin e plotë dhe në kohë të Rregullores së BE-së për Shpyllëzimin (EUDR), duke paralajmëruar kundër çdo dobësimi ose shtyrjeje të rregullave.
Sipas raportit, konsumi i çokollatës brenda BE-së nxit humbjen e më shumë se 10 milionë pemëve në vit. Produktet e mishit të viçit dhe lëkurës kontribuojnë në një humbje tjetër prej 10 milionë pemësh në vit ndërsa përdorimi i vajit të palmës në BE rezulton në heqjen e më shumë se 6 milionë pemëve.
Rreth 6.4 milionë pemë humbasin çdo vit për shkak të importeve të sojës, kryesisht për ushqimin e kafshëve të përdorura në produkte të tilla si peshku, djathi dhe vezët. Konsumi i kafesë përbën humbjen e mbi 3 milionë pemëve në vit.
- Gjermania ka gjurmën më të madhe
Të dhënat vlerësojnë "gjurmën përfundimtare të konsumit" të produkteve në secilin vend anëtar të BE-së pas tregtisë dhe transformimeve komplekse të zinxhirit të furnizimit.
Gjermania përbën humbjen më të lartë vjetore me 13 milionë pemë, e ndjekur nga Spanja (6.5 milionë) dhe Franca (6.3 milionë). Në bazë të një banori, Holanda kryeson me 272 pemë të humbura për 1.000 banorë në vit, përpara Luksemburgut (226) dhe Finlandës (177).
WWF thekson ndikimin e karbonit të lidhur me vonesën në zbatimin e EUDR, bazuar në vëllimet tipike të importit të mallrave të rregulluara. Në të gjithë BE-në, një shtyrje njëvjeçare mund të rezultojë në 16.8 milionë tonë emetime të importuara, të krahasueshme me çdo banor të Londrës që udhëton për në Nju Jork tre herë në vit.
Sipas raportit, zbatimi i plotë i EUDR mund të parandalojë 387 milionë tonë emetime të gazrave serrë deri në vitin 2035, ekuivalent me mbylljen e përhershme të tetë termocentraleve të mëdha me qymyr.
WWF paralajmëron se pa zbatim të shpejtë, tendencat në rritje të importit mund t'i çojnë emetimet shtesë edhe më lart, duke arritur në 17.4 milionë tone shtesë ekuivalent të CO2.
