UNITETI, partia e re shqiptare në skenën politike në Maqedoni
Gëzim Ostreni njëri nga nismëtarët për formimin e partisë UNITETI në fjalimin e tij akuzoi partitë shqiptare se janë shndërruar në vasalë të partisë maqedonase në pushtet

Shkup
SHKUP (AA) - Iniciatorët për themelimin e partisë së re shqiptare UNITETI sot në Shkup mbajtën konferencë për media në të cilën u bë e ditur se grupi nismëtar i ka bërë të gjitha përgatitjet e parashikuara me ligj dhe e ngriti procedurën për regjistrimin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Gëzim Ostreni njëri nga nismëtarët për formimin e partisë UNITETI në fjalimin e tij akuzoi partitë shqiptare se janë shndërruar në vasalë të partisë maqedonase në pushtet. Ai tha se Uniteti do të jetë një alternativë e re për zhvillimet e mëtutjeshme demokratike në Maqedoni.
“Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë shndërruar në vasalë të VMRO-DPMNE-së. Qëllimi i formimit të UNITETI-t është hapja e një alternative të re për zhvillimet e mëtutjeshme demokratike në Maqedoni, duke i evituar pengesat që qëndrojnë para qytetarëve shqiptarë, maqedonas, turq, romë, vllehë e të tjerë, në sigurimin e dinjitetit, lirive dhe të drejtave të tyre”, deklaroi Gëzim Ostreni, njëri nga nismëtarët për themelin e partisë së re UNITETI.
Ai tha se në vend të bashkëjetesës për të cilën flasin pushtetarët, rrihen, burgosen dhe vriten shqiptarët, dhe jo vetëm ata. Ostreni tha se kjo po ndodh edhe me maqedonasit, që janë oponentë politik të partive në pushtet, kjo po ndodh edhe me gazetarët.
Gjithashtu, Ostreni theksoi se në kundërshtim me Kushtetutën, ende vazhdojnë përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë për të mbrojtur karakterin një nacional të shtetit. Sipas tij, Uniteti do të punojë për rritjen e besimit ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të aplikuar shtetin qytetar – shumë etnik si realitet demografik i zhvillimit të shoqërisë së krijuar në rrethana të caktuara historike.
“Dëshirojmë që partitë maqedonase ta kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet e Kushtetutës janë bërë për ta ruajtur Republikën e Maqedonisë në kufijtë ekzistues, në të cilën shqiptarët e shohin veten si qytetarë të barabartë me maqedonasit dhe jo si lypsarë, të cilëve dikush duhet t’ua jep ose jo të drejtat e tyre”, potencoi Ostreni.
Ai mes tjerash porositi se stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik, politik dhe i sigurisë së brendshme dhe të jashtme i Republikës së Maqedonisë varet nga stabiliteti i marrëdhënieve ndërnacionale në shtet dhe këto janë themeli i vetëm për perspektivën e Maqedonisë.
Kujtojmë se Gëzim Ostreni deri më tani ka qenë pjesë e strukturave të larta të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) së Ali Ahmetit ndërsa në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Kësaj nisme i është bashkëngjitur edhe Zylfi Adili aktualisht deputet i BDI-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.