Turqia mbështet unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë
- "Turqia vazhdon të mbështesë unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë ndërsa nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mbi trajnimin dhe konsulencën e përbashkët e zgjeron këtë angazhim", tha Ministria turke e Mbrojtjes

Ankara
ANKARA (AA) - Turqia vazhdon të mbështesë unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë ndërsa nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mbi trajnimin dhe konsulencën e përbashkët e zgjeron këtë angazhim një hap më tej, tha Ministria e Mbrojtjes e vendit, transmeton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave pas një informimi javor mbi situatën e fundit në Siri, burimet e ministrisë thanë: "Që nga marrëveshja e nënshkruar midis qeverisë siriane dhe organizatës terroriste SDF më 10 mars 2025, organizata terroriste SDF nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet e marrëveshjes dhe ka vazhduar veprimet që dëmtojnë unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë".
"Kohët e fundit, retorika separatiste e shprehur në konferencën e organizuar nga SDF në Hasakah më 8 gusht është në kundërshtim me memorandumin që ata nënshkruan me Qeverinë Siriane", shtuan burimet e ministrisë.
Burimet thanë se ndërsa qeveria siriane demonstron qasje gjithëpërfshirëse dhe unifikuese që synon t'i japë fund të gjitha përçarjeve etnike, fetare dhe sektare brenda vendit, veprimet provokuese dhe përçarëse të organizatës terroriste SDF po e pengojnë procesin.
"Thirrjet e qeverisë siriane për 'një shtet, një ushtri' janë thelbësore për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të shumëpritur në rajon. Pritja jonë është përputhja e plotë me memorandumin e nënshkruar dhe zbatimi i tij i shpejtë në terren, duke hapur rrugën për një Siri të qëndrueshme, paqësore, të sigurt dhe pa terror", thanë burimet.
"Që nga fillimi ne kemi mbështetur unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në këtë kontekst, me memorandumin e mirëkuptimit mbi trajnimin dhe konsulencën e përbashkët të nënshkruar dje (të mërkurën), ne e kemi çuar këtë angazhim një hap më tej", shtuan burimet.
- Përmbajtja e memorandumit të mirëkuptimit mbi trajnimin dhe konsulencën e përbashkët të nënshkruar me Sirinë
Në përgjigje të pyetjeve lidhur me përmbajtjen e memorandumit të mirëkuptimit mbi trajnimin dhe konsulencën e përbashkët të nënshkruar nga ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güle, dhe homologu i tij sirian Murhef Abu Kasra, burimet thanë se vendosmëria për të mbështetur luftën e Sirisë kundër terrorizmit dhe për të rritur kapacitetin e saj mbrojtës dhe të sigurisë mbetet e pandryshuar.
"Ky nënshkrim shënon një hap tjetër të rëndësishëm në bashkëpunim. Memorandumi synon të koordinojë dhe planifikojë trajnimin dhe bashkëpunimin ushtarak, të ofrojë konsultime dhe të ndajë njohuritë dhe përvojën; të sigurojë prokurimin e pajisjeve ushtarake, sistemeve të armëve, materialeve logjistike dhe shërbimeve përkatëse për të përmbushur nevojat e mbrojtjes dhe të ofrojë mbështetje teknike dhe trajnim për përdorimin e tyre kur është e nevojshme", thanë burimet.
"Me njohuritë, përvojën dhe ekspertizën e Forcave tona të Armatosura, ne do të vazhdojmë të mbështesim luftën e Sirisë kundër terrorizmit dhe të rrisim kapacitetin e saj mbrojtës dhe të sigurisë", shtoi ajo.
Më 10 mars, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.
SDF dominohet nga grupi terrorist YPG, dega siriane e PKK-së terroriste. Qeveria siriane ka intensifikuar përpjekjet e sigurisë që nga rrëzimi i Bashar al-Asadit vitin e kaluar, pas 24 vitesh në pushtet.
Asadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmad Al-Sharaa u formua në janar.