Politikë

Thaçi pret në takim kryetaren e KQZ-së, flasin për organizimin e zgjedhjeve

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka thënë Thaçi

Agim Sulaj   | 21.08.2019
Thaçi pret në takim kryetaren e KQZ-së, flasin për organizimin e zgjedhjeve

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Presidenca, në këtë takim është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit të partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, që është planifikuar për nesër.

Presidenti Thaçi theksoi se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, është e rëndësishme që të bëhen përgatitjet për të siguruar një proces fer dhe demokratik të zgjedhjeve.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, shtoi Thaçi.

Ai tha se edhe në këto zgjedhje duhet të ketë monitorim profesional nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe mediat.

Nga ana tjetër, Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, tha se tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit.

Partitë politike parlamentare kanë paralajmëruar se nesër më 22 gusht do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit e më pas presidenti Thaçi ka dy mundësi, të shkohet në zgjedhje të parakohshme 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit apo të caktojë një mandatar të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın