Shtëpia e Bardhë: Diplomacia, "opsioni i parë" i Trumpit me Iranin; presidenti "po flet me shumë njerëz" rreth mundësive
"Irani do të ishte shumë i mençur të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe këtë administratë", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë
Washington
Diplomacia është “opsioni i parë” i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, sa u përket negociatave me Iranin, tha të mërkurën Shtëpia e Bardhë, duke pranuar se ai po “flet me shumë njerëz” për sulme të mundshme ushtarake, raporton Anadolu.
Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se ka “shumë arsye dhe argumente që mund të bëhen për një sulm kundër Iranit”, duke iu referuar sulmeve që presidenti urdhëroi në qershor ndaj objekteve bërthamore, për të cilat administrata pretendoi se e “shkatërruan plotësisht” programin bërthamor të Iranit.
“Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i qartë se, për sa i përket Iranit apo çdo vendi tjetër në botë, diplomacia është gjithmonë opsioni i tij i parë, dhe Irani do të ishte shumë i mençur të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe këtë administratë. Ai po flet me shumë njerëz, natyrisht, para së gjithash me ekipin e tij të sigurisë kombëtare”, u tha ajo gazetarëve.
E pyetur nëse Trump po koordinohet me Izraelin për sulme të mundshme ndaj Iranit, Leavitt nuk pranoi të komentojë. “Nuk kam detaje specifike për bisedat e fundit të presidentit me Izraelin”.
E pyetur gjithashtu nëse Trump i ka komunikuar Iranit ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje, Leavitt tha se është një “pyetje e drejtë”, por refuzoi të “vendosë afate në emër të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Komentet vijnë një ditë pasi SHBA-ja dhe Irani përfunduan raundin e dytë të negociatave indirekte të ndërmjetësuara nga Omani, me të dyja palët që pranuan se ka pasur përparim, në kohën kur prania ushtarake amerikane në rajon po rritet.
Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve në Gjenevë, nënpresidenti i SHBA-së JD Vance i cilësoi negociatat si produktive “në disa aspekte”, por tha se Teherani “ende nuk është i gatshëm” të angazhohet për disa nga “vijat e kuqe” të Trumpit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se bisedimet treguan përparim, duke e cilësuar atmosferën si “më konstruktive”.
Washingtoni ka rritur ndjeshëm praninë e tij ushtarake në rajon, duke dislokuar grupin luftarak të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, ndërsa aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford është në rrugë drejt rajonit, së bashku me avionë luftarakë shtesë.
Takimi në Gjenevë ishte raundi i dytë i negociatave që nga urdhri i Trumpit për sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershorin e vitit të kaluar. Raundi i parë u mbajt në Maskat, Oman.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
