Shefi i Pentagonit: Gjithçka është në tryezë, Irani të negociojë një marrëveshje
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth tha se SHBA-ja po i mban të gjitha opsionet e hapura në qasjen e saj ndaj Iranit, ndërsa i bën thirrje vendit të negociojë një marrëveshje
Washington
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth tha të hënën se SHBA-ja po i mban të gjitha opsionet e hapura në qasjen e saj ndaj Iranit, ndërsa i bën thirrje vendit të negociojë një marrëveshje, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Kolorado, Hegseth përsëriti se presidenti Donald Trump preferon zgjidhje diplomatike, por vuri në dukje se ushtria amerikane është e përgatitur me plane emergjence nëse Irani refuzon të arrijë marrëveshje.
"Irani duhet të bëjë marrëveshje. Irani ka mundësi për të bërë një marrëveshje. Ky është rezultati që presidenti do të preferonte. Puna jonë është të ofrojmë opsione dhe ne do të kemi mundësi për presidentin nëse Irani vendos të mos bëjë marrëveshje", tha sekretari amerikan.
Kur u pyet nëse sulmet ushtarake mbeten në shqyrtim, Hegseth tha se "gjithçka është në tryezë".
"Është vendimi i presidentit. Ne jemi këtu për të ndihmuar në sigurimin e arritjes së një marrëveshjeje. Dhe mendoj se Irani do të ishte i mençur të bënte një marrëveshje të mirë", shtoi ai.
Më herët të hënën, Trump hodhi poshtë raportet e medias që thanë se shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjenerali Dan Caine e këshilloi presidentin dhe zyrtarët tjerë të lartë se veprimi ushtarak në Iran mund të mbartë rreziqe të konsiderueshme dhe ta lërë SHBA-në të përfshirë në një konflikt të zgjatur në rajon.
"Shumë histori nga mediat e lajmeve të rreme kanë qarkulluar duke deklaruar se gjenerali Daniel Caine, i referuar ndonjëherë si Razin, është kundër luftës sonë me Iranin. Historia nuk ia atribuon askujt këtë pasuri të madhe njohurish dhe është 100 përqind e gabuar", tha ai në platformën e tij Truth Social.
Trump thekson se çdo vendim në lidhje me veprimin ushtarak në fund të fundit do të varet nga ai.
"Unë jam ai që merr vendimin. Do të preferoja të kishim marrëveshje sesa të mos kishim, por nëse nuk bëjmë një marrëveshje, do të jetë një ditë shumë e keqe për atë vend dhe për fat të keq, për popullin e tij, sepse ata janë të shkëlqyer dhe të mrekullueshëm dhe diçka e tillë nuk duhet t'u kishte ndodhur kurrë", theksoi ai.
Delegacionet nga Irani dhe SHBA-ja do të mblidhen përsëri të enjten në Gjenevë të Zvicrës për të rifilluar diskutimet për një marrëveshje të mundshme bërthamore mes tensioneve në rritje rajonale dhe spekulimeve për një luftë të afërt.
